Vendosni fjalën kyçe....

Pasanikët rusë ikin në Dubai për të shmangur sanksionet


Dubai është shfaqur si një strehë për rusët e pasur që ikin nga ndikimi i sanksioneve perëndimore mbi luftën në Ukrainë.

Sipas BBC-së, miliarderët dhe sipërmarrësit rusë kanë mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) në një numër të paprecedentë.

Blerjet e pronave në Dubai nga rusët u rritën me 67% në tre muajt e parë të 2022.

Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk e kanë kritikuar pushtimin e saj në Ukrainë.

Ky vend po jep gjithashtu viza për rusët e pasanksionuar, ndërkohë që shumë vende perëndimore i kanë kufizuar ato.

Vlerësohet se qindra mijëra njerëz janë larguar nga Rusia gjatë dy muajve të fundit – megjithëse shifra të sakta nuk janë të disponueshme.

Një ekonomist rus tha se rreth 200 mijë rusë ishin larguar në 10 ditët e para pas fillimit të luftës.

Virtuzone, e cila ndihmon kompanitë të krijojnë operacione në Dubai, ka parë një rritje të madhe të klientëve rusë.

“Ne po marrim pesë herë më shumë pyetje nga rusët që nga fillimi i luftës.”- tha shefi ekzekutiv George Hojeige.

“Ata janë të shqetësuar për një shkrirje ekonomike që po vjen. Kjo është arsyeja pse ata po lëvizin këtu për të siguruar pasurinë e tyre.”- shtoi ai.

Fluksi i shtetasve rusë ka rritur kërkesën për vila dhe apartamente luksoze në të gjithë qytetin. Agjentët e pasurive të paluajtshme po raportojnë një rritje të çmimeve të pronave, pasi rusët që mbërrijnë në Dubai po kërkojnë të blejnë shtëpi.

Agjencia e pasurive të paluajtshme me bazë në Dubai, Betterhomes zbuloi se blerjet e pronave nga rusët u rritën me dy të tretat në tre muajt e parë të 2022.

Dhe një tjetër agjenci imobiliare, Modern Living, i tha BBC-së se kishte punësuar shumë agjentë rusishtfolës për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje. Shefi ekzekutiv Thiago Caldas tha se ata po merrnin telefonata të shumta nga shtetas rusë që kërkonin të zhvendoseshin menjëherë në Dubai.

“Rusët që po zbresin nuk po blejnë vetëm për investime, por po e shohin Dubain si një shtëpi të dytë.”- tha ai.