Vendosni fjalën kyçe....

Qendra Europiane për Monitorimin e Drogës: Grupet shqiptare kanë zgjeruar tregun e kokainës nga viti 2017

Raporti i Drogave i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA), i sapopublikuar, përshkruan me hollësi aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare, të cilat që prej vitit 2017 jo vetëm që janë zgjeruar, por edhe janë sofistikuar, duke kontrolluar si importin ashtu dhe shpërndarjen e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në tregjet europiane.

Rrjetet shqipfolëse përmenden shpesh në raport.

Rrjetet kriminale shqipfolëse duket se e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në më shumë vende të BE-së që nga viti 2017, thuhet në raport, duke cituar Interpolin.

Rrjetet kriminale nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, sidomos ato shqipfolëse janë shfaqur në rreth 10 vitet e fundit si lojtarë kryesorë në tregun e kokainës në BE.

Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga tregtarët me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Megjithatë, një rrjet kriminal shqipfolës e braktisi këtë model dhe vendosi kontrollin e importit dhe shpërndarjes.

Duke përdorur mjete të sofistikuara komunikimi të koduara, drejtuesi i organizatës, me qendër në Ekuador, negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës së Amerikës së Jugut, organizoi dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore të Europës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve me bazë në Itali, Holandë dhe Shqipëri, gjithashtu organizoi shpërndarjen për konsumatorët në të gjithë Europën.

Kokaina u kontrabandua përtej kufijve europianë e fshehur në automjete të pajisura me ndarje të fshehura. Kriminelët pastronin të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem alternativ nëntokësor të dërgesave me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch’ien, i ngjashëm me sistemin e transferimit të hawala (Europol, 2020d).

Raporti shpjegon se bashkëpunimi mes grupeve është një faktor kryesor që ka rritur fitimet e tyre, duke përmendur edhe ato shqipfolëse, që kanë lidhje më të ngushtë me rrjetet italiane.

“Bashkëpunimi kriminal mbështetet në një mentalitet biznesi që lejon rrjetet kriminale të kapërcejnë barrën financiare, të zgjerojnë aktivitetet e trafikimit, të kenë akses në ekspertizë dhe të arrijnë tregje të reja. Rrjetet kriminale shpesh ndajnë dhe kontraktojnë informacione, shërbime, burime, rrugët e kontrabandës, ekspertët, shpërndarjen dhe pastrimin e parave. Madje, bashkëpunimi ndodh herë pas here midis rrjeteve rivale kriminale.

Rrjetet kriminale kolumbiane bashkëpunojnë me rrjete të tjera kriminale të Amerikës së Jugut (p.sh. braziliane) dhe me bazë në BE dhe mbajnë një prani fizike në vendet kryesore të tranzitit dhe në BE. Në mënyrë të ngjashme, rrjetet kriminale holandeze dhe belge bashkëpunojnë me kriminelët e Amerikës Latine për të organizuar dërgesa të mëdha kokaine të kontrabanduar në BE, ndërsa grupet kriminale shqipfolëse bashkëpunojnë ngushtë me rrjetet italiane”.

Raporti përmend dhe Record TV, sipas të cilit rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht ato shqipfolëse, raportohen herë pas here të përfshihen në dërgesën detare të kokainës nga Brazili në Evropë, gjë që mund të tregojë lidhje me rrjetet kriminale braziliane, megjithëse përmend që nuk ka më shumë detaje për këtë.

Një tjetër rast që përmendet në raport lidhet me rrjetin ballkanik të kokainës. Një tjetër operacion ndërkombëtar i zbatimit të ligjit që përfshin 8 vende rezultoi në akuza kundër 61 të dyshuarve që i përkisnin një rrjeti ballkanik të trafikut të drogës që besohet të jetë përgjegjës për disa trafikim me shumicë të kokainës në Europë.

Ky rrjet kriminal kishte degë në disa shtete evropiane dhe ishte i përbërë kryesisht nga kriminelë nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Autoritetet e zbatimit të ligjit vëzhguan lëvizjen e kriminelëve midis Spanjës dhe Amerikës së Jugut si dhe importimin e mbi 1.25 tonë kokainë në BE.

Hetuesit spanjollë çmontuan gjithashtu rrjedhat alternative të të ardhurave të rrjetit, të tilla si prodhimi dhe trafikimi i kanabisit dhe shitja e automjeteve luksoze. Në mënyrë të ngjashme, disa anëtarë të grupit të organizuar kriminal u akuzuan në Slloveni për shpërndarje të kokainës dhe kanabisit në të gjithë Evropën (Europol, 2021c).

EMCDDA vlerëson se tregu i shitjes me pakicë të kokainës në BE kishte vlerë të paktën 10.5 miliardë euro (nga 7.7 miliardë deri në 12.8 miliardë euro) në vitin 2020. Kjo përfaqëson rreth një të tretën e tregut të paligjshëm të të gjitha drogave dhe e bën kokainën tregun e dytë më të madh, pas kanabis.

Ndërsa ky vlerësim është më i miri që mund të arrihet duke pasur parasysh disponueshmërinë aktuale të të dhënave, metoda e përdorur ka të ngjarë të nënvlerësojë madhësinë e vërtetë të tregut dhe kjo shifër duhet të shihet si një vlerësim minimal, thuhet në raport.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor