Ish-gjimnastja ruse Alina Kabaeva, e cila prej kohësh përflitet si e dashura e presidentit Vladimir Putin, i është shtuar paketës së gjashtë të sanksioneve që po shqyrtohet nga Bashkimi Evropian.
Jeta private e liderit rus është e ruajtur me kujdes, por Kabaeva njihet gjerësisht nga mediet si e dashura e tij. Putin fillimisht e mohoi këtë, por raportet në medie thonë se ajo ka sjellë në jetë fëmijët e tij.
Dy burime i kanë thënë BBC-së në Bruksel se ajo është në listën e sanksioneve të Komisionit Evropian. Kjo për shkak të rolit të saj si kryetare e Grupit Kombëtar të Medias të Rusisë, një perandori televizive dhe mediatike me zotërime në kanale dhe faqe interneti të ndryshme.
Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vënë në shënjestër pasuritë e dy prej vajzave të Putinit nga martesa e tij të parë, por nuk kanë vepruar ende kundër Kabaevës.
Ndërsa 27 shtetet e BE-së janë të përfshirë në negociata të vështira për pjesët e tjera të paketës së sanksioneve, kryesisht për kohën e ndalimit të importeve të naftës ruse, propozimet që synojnë dhjetëra individë rusë janë më pak të diskutueshme. Nëse ata kalojnë, të përfshirët do të përballen me ndalimin e hyrjes në BE si dhe ngrirjen e aseteve.