Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se vendi i tij “është nën presion gjithnjë e më të madh” për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se situata në Serbi “ka ndryshuar për të keq”, pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, raporton REL.
Ky i fundit, më 26 prill, e ka krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas.
Rusia, ashtu si edhe Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Duke iu drejtuar kombit, pasditen e së premtes, Vuçiç tha se “i gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në territorin e Ukrainës”.
Sipas tij, “një numër i vogël vendesh thonë se janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “një numër në rritje kërkon njohje reciproke”.
Vuçiç tha se Serbia “po paguan çmim të lartë” edhe për faktin se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka sanksionuar shtetin rus, me gjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.