Vendosni fjalën kyçe....

22 të vdekur pas një shpërthimi në një hotel në Havana


Të paktën 22 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 60 janë shtruar në spital pasi një shpërthim masiv tronditi një nga hotelet më ekskluzive me pesë yje të Kubës.

Besohet se ka shpërthyer një cisternë gazi e cila ishte parkuar jashtë hotelit Saratoga në Havanën e Vjetër. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm u shkatërruan disa kate të ndërtesës.

Siç shkruan BBC, hoteli historik do rihapej pas pandemisë në katër ditë. Tani është kthyer në gërmadha.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar ende për të gjetur njerëzit e bllokuar nën rrënoja.

Presidenca Kubane tha se mes viktimave ishin një grua shtatzënë dhe një fëmijë.

Të plagosurit po trajtohen në spitalet e afërta.

Yazira de la Caridad, e cila jeton një bllok larg hotelit, tha për CBS News se “mendonte se shpërthimi ishte një tërmet”.

Dëshmitarët thanë se panë shtëllunga tymi të zi dhe re pluhuri në qiell pas shpërthimit.

Një shkollë e cila ndodhet direkt pas hotelit nuk u prek, me zyrtarët lokalë që konfirmuan se të gjithë fëmijët e saj janë evakuuar në mënyrë të sigurt.

Presidenti i Kubës Miguel Diaz-Canel ka vizituar vendngjarjen, që ndodhet përballë ndërtesës së vjetër të kongresit të qeverisë. Presidenti tha: “Nuk ishte një bombë apo sulm, është një aksident fatkeq”.

Incidenti vjen teksa turizmi në vend po rikthehej pas dy viteve të vështira të shkaktuara nga pandemia Covid-19.

Hoteli Saratoga, ishte mbyllur për rinovim gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe.