Kandidati për kreun e Partisë Demokratike Ibsen Elezi ka anuluar konferencën për mediet që kishte njoftuar më herët se do mbante pasditen e sotme në orën 15:00. Kjo për shkak të mungesës së gazetarëve.
Elezi ndihet se kandidatura e tij për drejtimin e PD-së nuk po respektohet, pavarësisht se kjo është një garë e rëndësishme pasi do vendosë se kush do e drejtojë partinë më të madhe opozitare. Ai e shtyu konferenën për nesër dhe kërkoi që gazetarët ta pasqyrojnë me korrektësi garën.
“Më vjen keq t’ju njoftojn se po e anuloj Konferenën për shtyp për një arsye shumë të thjshtë, nuk është asnjë gazetar prezent (nënqesh). Do të ndodhte edhe kjo.
Do ju kërkoja korrektësi në pasqyrimin e kësaj fushate elektorale.
Unë nuk kam dalë si manekin për të biseduar thjesht përmes rrjeteve sociale, apo ndoshta thjesht nëpërmjet medias. Mendoj se është në dinjitetin e gazetarëve të jenë prezent.Kjo është garë e rëndësishme. Po mundohen t’i vënë epitete nga më të ndryshmet. Epitete se unë kam hyrë formalisht. Epitete që unë jam i shitur e me radhë… por këtë do ia lëmë fushatës elektorale. Është e dyta herë. Ditën e djeshme në fakt u befasova, por sot e ka kaluar pak atë pritshmërinë time dhe jam i detyruar që ta anuloj për një orar tjetër, ditën e nesërme. Ju faleminderit.”- tha Elezi në një deklaratë para kamerave, por në mungesë të gazetarëve.
Ibsen Elezi është i vetmi nga PD që ka guxuar të kandidojë kundër liderit historik të kësaj force politike Sali Berisha, i cili vetëm dy orë më parë po mbante një konferencë për mediet në seli. Por me Berishën salla ishte e mbushur plot, krejt ndryshe nga sa ndodhi me Elezin, për të cilin gazetarët nuk kanë treguar minimumin e interesit për ta dëgjuar, aq më pak për t’i drejtuar pyetje./Hashtag.al