Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka pranuar se shanset që Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për negociatat janë thuajse zero.
Këtë deklaratë ai e bëri në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
“Shanset që Bullgaria të heqë veton janë thuajse 0. E dimë se sa e vështirë është që të bësh një rezolutë në parlamentin bullgar, për të kërkuar mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Bullgarinë. Kjo është çështje që nuk na takon. Kjo është mbledhja e parë e një serie intensive që kemi që t’i paraprijë qershorit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, është me rëndësi.
Në progres-raport thuhet dhe po e lexoj; Komisioni Europian rekomandon të sigurohet që procedurat penale të nisin në mënyrë sistematike kundër gjyqtarëve dhe prokurorive. Ajo që po themi ne është se detyrat e shtëpisë që na ka vendosur KE ti bëjmë në mënyrë intensive dhe të menjëhershme. Në takimet e ardhshme, do të kemi dhe drejtues të prokurorisë, dhe të SPAK, që t’i marrim një për një.
Roli drejtues është monitorimi i detyrave që na janë vendosur. Dy përfaqësuesit e qeverisë që kanë ardhur në këtë takim, ministri Brendshëm dhe zoti Koçi, t’i dëgjojmë me vëmendje se çfarë është bërë. Kemi arritur në kohë rekord që të plotësojmë legjislacionin dhe të plotësojmë kriteret që u vendosën nga ManyVal.”– tha Balla.