Zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka debatuar sot në Kuvend me deputeten e PD-së, Jorida Tabaku, e cila tha se rritja e çmimeve është ndikuar edhe nga probleme të tregut të brendshëm shqiptar.
Ahmetaj reagoi duke thënë se deklaratat e Tabakut se rritja e çmimeve është bërë për arsye të tregut të brendshëm, është e qëllimshme.
“Të thuash që çmimet janë rritur për arsye të tregut të brendshëm në mirëkuptim politik do e quaja të qëllimshme profesionalisht. Do e quaj s’dua ta përdor fjalën, do ishte e rëndë fjala, por po që quaj politikisht të qëllimshme.”- tha Ahmetaj.
Në një replikë, Tabaku i tha Ahmetajt se ndryshe nga ai ajo fle e qetë sepse nuk ka hedhur asnjë firmë për inceneratorët.
“Ndoshta mund të jem e paditur se nuk jemi të gjithë mësues anglishte që mësojmë Ekonomiks, por të paktën zgjohem e qetë nga gjumi se tendera për koncesionet dhe inceneratorët nuk kam firmosur ndonjëherë. Tendenca për rritjen e çmimeve ka filluar vitin e kaluar në gusht-shtator. Sot ndërkohë që flasim, qeveria shqiptare ka miratuar një plan masash në shkurt të këtij viti për masa sociale për rritjen e çmimeve ndërsa inflacioni ka arritur në këtë muaj në thuajse 7%. Kjo tendencë ndihet më shumë tek ata që janë më të varfër. Në këtë situatë ekonomike, ka vetëm 1 përgjegjës, shkurtditësia e kësaj qeverie. Në situatën ku jemi duhet të kishit marrë masa të tjera sepse kemi një rritje të ulët ekonomike që po shoqërohet me një inflacion të loartë.”- tha Tabaku.
Por Ahmetaj iu përgjigj se është krenar për çdo firmë që ka hedhur dhe e paralajmëroi Tabakun se edhe ai kishte shumë gjëra për të thënë lidhur me “firmat” e Tabakut.
“Zonjë e nderuar, e para ti do duhet të jetosh tre jetë të bësh shkollat e mia por kënaqu me këto.
E dyta unë do firmos për investime publike deri kur kryeministri im, grupi im parlamentar dhe qytetarët të më autorizonë në një detyrë ose një tjetër. Qoftë këtu e qoftë atje.
Ndërkohë se ta kam thënë disa herë se çfarë vjen rrotull shkon rrotull, dhe do i filloj gjërat unë që nga Genova e deri tek firmat e tua për shtëpinë tënde. E ke bërë zakon e përmend emrin tim. Të kam paralaujmëruar miqësisht, sigurisht që s’ke dëgjuar.
Unë jam krenar për firmat që vë dhe mbaj përgjegjësi vetë, edhe politikisht edhe personalisht. Por unë inkuizitor pervers s’jm bërë asnjëherë dhe shpreh dëshira qoftë për të majtë e të djathtë, prit duro, jeta është e gjatë.”-u përgjigj Ahmetaj.