Vendosni fjalën kyçe....

Kosova dorëzon aplikimin për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës: Sot hapëm një kapitull të ri


Kosova ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në KiE. Këtë e ka konfirmuar kabineti i ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

 “Ministrja dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, sapo ka përfunduar takimin e saj në Këshill të Evropës ku ajo e ka dorëzuar personalisht aplikimin. Konfirmoj se zyrtarisht Kosova ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Këshill të Evropës.”- ka shkruar shefi i Kabinetit Sharr Jakupi.

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Vendimi i miratuar sot detyron Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Ministria e Jashtme ndërkohë ka shpërndarë një video të ministres Gërvalla nga Strasburgu.

“Dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Europës. Sot hapëm një kapitull të ri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instancat të ndryshme të Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror.

Kosova është vendi më demokratik në rajon, Kosova është vendi më proeuropian në rajon dhe është vendi më optimist në rajon. Prandaj, Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Europës një ditë e më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshill të Europës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca europiane.”– tha Gërvalla.