Vendosni fjalën kyçe....

Aplikimi i Kosovës në KiE/ Lulzim Basha: Moment kyç për Ballkanin e kombin shqiptar, keni mbështetjen time personale


Ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha foli sot në Parlament për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Basha e përshëndeti këtë zhvillim të ri nga foltorja duke thënë se ky është investimi më i suksesshëm global e në veçanti i demokracive perëndimore.

Ai e konsideroi këtë një moment kyç të zhvillimeve për Ballkanin e kombin shqiptar, ndërsa ofroi mbështetjen e tij personale për qytetarët e Kosovës.

“Zonja dhe zotërinj, të dashur bashkëqytetarë, të dashur bashkëkombas, 14 vite pas shpalljes së Kosovës së Pavarur, rajoni ynë ka përjetuar një çlirim nga makthet e destabilizimit e luftës. Investimi në Kosovën e pavarur, në Kosovën eb të drejtave të barabarta të çdo qytetari të saj, krah për krah me bijtë e bijat uniformë të vendeve anëtare të NATO-s, investimi më i suksesshëm global e në vecanti i demokracive perëndimore.

Sot kemi rastin të përshëndesim njëzëri një moment kyç të zhvillimeve për Ballkanin e kombin shqiptar, aplikimin e Kosovës për anëtarësi si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.

Personalisht ndiej kënaqësi të dyfishtë teksa shoh një hap të menduar e planifikuar për vite me radhë në bashkëpunim mes qeverive të Tiranës e Prishtinës tani të jetësohet me mbështetje totale e të rakorduar të anëtarëve të KiE.

Si përfundim dua të uroj qytetarët e Kosovës dhe forcat politike në Kosovë, ju siguroj për mbështetjen time personale, dhe t’i përgëzoj dhe t’i kërkoj një bashkëpunim të frytshëm që nis sot me aplikimin në Këshillin e Evropës, përkundër skepticizmit të ecim përpara për një Kosovë anëtare të Këshillit të Evropës.”- tha Basha.