Një bombë e pashpërthyer është gjetur këtë të enjte pranë një shkolle 9-vjeçare në Labinot-Fushë të Elbasanit.
Bomba e pashpërthyer është gjetur në një përrua në afërsi të shkollës së fshatit Mengël.
Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën, ndërsa priten forcat xheniere për zhvendosjen dhe çmontimin e saj.
“Më datë 12.05.2022, ka ardhur njoftim në sallën operative të DVP Elbasan, se në fshatin Mengël, në një përrua, është konstatuar një predhë e vjetër luftarake, e pashpërthyer.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe pritet mbërritja e forcave antieksploziv, për çaktivizimin dhe heqjen e predhës.”- bën me dije policia.
Bomba dyshohet të jetë e Luftës së Dytë Botërore.