Në konferencën e sotme për mediet, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi maxhorancën se ka kryer vepër penale në përputhje me ligjet që dënojnë mohimet e genocidit, që nuk miratoi dje rezolutën për dënimin e masakrës në Bosnjë.
Ai tha se rezoluta nuk ishte kurth, por e bazuar në ligjet ndërkombëtare.
“Rama e Balla mashtrojnë, të kriminalizuar në çdo skaj të psikologjisë e karakterit të tyre kur thonë se nuk është votuar kundër rezolutës. Vota e djeshme ishte vota më e egër që mund të bëhej në parlament.
Nuk është e vërtetë që u shty për më vonë.
Ata që përpiqen të mbulojnë qëndrimin e tyre të shëmtuar, mbrojtjen që i bënë genocidit dje, kryejnë vepër penale në përputhje me ligjet që dënojnë mohimet e genocidit të dy janë fajtor për këtë akt të shëmtuar.
Rama deklaroi dje se fajin e ka Saliu. Duhet të jesh në stadin e primitivitetit që dhe një akt të tillë të ndërgjegjes individuale e njerëzore t’ua kalosh të tjerëve.
Pa asnjë diskutim që PD do të paraqesë, dora dorës e gjithnjë politikën e saj të jashtme, qëndrimin e politikën e saj të jashtme.
Qëndrimi ynë është i bazuar në ligjin ndërkombëtar, në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar.
Qëndrimi i Ramës është qëndrim zuzar dhe zuzar quhet qëndrimi kur nuk përfill normë dhe ligj. Dënoj qëndrimin e tyre të djeshëm. Ata që e mendojnë se kjo rezolutë ishte një kurth, unë i garantoj se nuk ishte kurth.”- tha Berisha.