Vendosni fjalën kyçe....

Hyn në fuqi kontrata për koncesionin e Triportit, si do të bëhet financimi, detajet e projektit


Ka hyrë në fuqi tashmë kontrata e koncesionit/partneritet publik privat, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “Portit të integruar” në Triport Vlorë.

Kjo e fundit është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë “Agbes Construcion” sh.p.k., “Besta”sh.p.k., “Premium Construction &Maintenance” sh.p.k., “ITE Grup” sh.p.k. dhe “ArkonStudio” sh.p.k të cilët u shpallën fitues në një procedurë prokurimi vitin e shkuar.

Edhe pse në fletoren zyrtare është publikuar tashmë vendimi për këtë miratim ai nuk është i shoqëruar me kontratën finale dhe shtojcat e kësaj të fundit duke lënë disi në “terr” mënyrën sesi do të zbatohet ky koncesion.

Një kontratë fillestare është publikuar më herët gjatë fazës së tenderimit ku jepeshin disa elemente si faza e ndërtimit, mënyra e financimit, rastet e forcave madhore, transferimi i asteve por variant final i kontratës duket se është mbajtur “sekret”.

Çfarë parashikon koncesioni

Kontrata që ka në objekt “Dhënie me koncesion/partneritet publik privat për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “Portit të Integruar” në Triport Vlorë” ka një afat 10 vjeçare.

Sa i takon financimit investimi do te kryhet nga Koncesionari dhe qeveria do të nisë të paguajë për punën e bërë me mbarimin e investimit.

“Pagesat e disponueshmerise do te fillojnë te paguhen pas ndërtimit te plote dhe dorëzimit përfundimtar te objektit dhe jo me pare se viti 2025” thuhet në dokument.

Vlera e përgjithshme e projektimit + ndërtimit + mirëmbajtje është 44,900,000 Euro, ku vetëm vlera e ndërtimit është 38,900,000 Euro.

Në daljen e saj pas mbledhjes së qeverisë ministrja Balluku la të nënkuptohet që pagesat ndaj privatëve që do të bëjnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen për 10 vite do të paguhen nga të ardhurat që do të gjenerojë porti dhe kjo është arsyeja që fillimi i tyre do të jetë në momentin e nisjes së operimit.

Projekti i portit

Porti i Integruar ne Triport, Vlorë parashikohet të ndërtohet 9 km në Veri-Lindje të qytetit të Vlorës dhe konkretisht në portin e peshkimit të këtij qyteti të quajtur “Triport”.

Porti i Peshkimit Triport ndodhet rreth 3 KM në veri të Portit të Vlorës dhe ndodhet midis Terminalit privat të përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj “Petrolifera Italo-Albanese) PIA dhe TEC Vlorë ndërsa nga Juglindja me Parkun Industrial Vlorë. Porti është i rrethuar nga pylli i Sodës dhe në zonë ndodhen shumë aktivitete private kryesisht argëtimi në fushën e kulinarisë.

Porti aktualisht është i ndarë në dy pjesë: Pjesa e brendshme e portit ku porti ofron kapacitete për shërbimin e anijeve të peshkimit. Ku porti është i mbrojtur nga të gjitha anët me dallgëthyes dhe infrastruktura është e amortizuar; Pjesa e jashtme e portit të cila është hapësirë e fituar pas ndërtimit të dallgëthyesit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor