Vendosni fjalën kyçe....

Berisha ndalet në Lezhë: Sot kemi një opozitë të vërtetë e një parti të rithemeluar


Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur në Lezhë në fushatën për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së në procesin e iniciuar nga Komisioni i Rithemelimit.

Ai ka treguar se Shqipëria ka nevojë për votën e lirë dhe Partia Demokratike në drejtimin e tij, sipas ish-kryedemokratit, do të ndjekë këtë linjë.

Berisha theksoi problematikat në të cilat ndodhet vendi nga keqqeverisja.

Kishim kundër një pseudo-opozitë. Kishim kundër dhe ndofta mafien më të rrezikshme ndërkombëtare atë të Geroge Soros-it. Presione, kërcënime, nga më të shumtat u bënë ndaj jush. Jeni kërcënuar. Kërkohej që të mos ndiqej kjo lëvizje, por të gjitha përpjekjet dështuan. Dështoi censura që u vendos ndaj veprimtarisë sonë. Dështoi fushata e pa imagjinueshme për të dekurajuar përpjekjen tonë.

Dështuan sulmet e egra të qeverisë ndaj kësaj lëvizje. Në të gjitha këto kushte ne arritëm në një betejë epike ndaj autokracisë e cila kërkonte të mos kishte opozitë Shqipëria. Kërkoi të hiqej prej hundësh opozita. Si shtojcë e vegël të saj kërkonte ta kishte një freskore. Apo të tjerë që kërkonin që t’ia emëronin vetë kryetarin, të mos e zgjidhni ju me votën tuaj. Përdorën procese gjyqësore, por cili ishte rezultati? Ishte dështimi. Ne, arritëm në të drejtën tonë, sot, të jemi një opozitë e vërtetë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Ne, mendonim ndryshe. Ja ku jemi sot, një parti e rithemeluar, parti e interesit kombëtar. E tillë u themelua në vitet ’90-ë.

Jemi pra parti e vlerave më të mira arbërore. E vlerave universale. Më keni dëgjuar të them edhe në debate televizive, por kjo është vota. Beteja jonë është për votën, sepse atë e kanë përzënë, por është liria. Ligji nuk bëhet pa votën e lirë. Tragjike ishte se rrugën e qeverisë në pushtet ndoqi ish-kryetari ynë, votën e përjashtoi. Po shkelmonim mbi interesin më jetik të këtij kombi ndër më të lashtit, që e ka nevojë jetike lirinë, votën e lirë. E gjithë përpjekja e shqiptarëve ka qenë përpjekje për liri. Ata që deklarojnë nëpër ekrane se shqiptarët nuk kanë luftuar. Shqiptarët vetëm luftëra kanë. Të gjitha luftërat janë bërë për më shumë të drejta, liri. Edhe kur kanë qenë në pushtim shekullor. Pra, ne arritëm që partinë tonë ta ndërtojmë mbi interesin e lirë të anëtarëve të saj. Tani, vazhdimi i misionit tonë është jetik për Shqipërinë. Përndryshe, identitet ynë kombëtar, qenia jonë, kombi ynë, ecën çdo kohë, çdo muaj drejt shpërbërjes drejt shkretimit. Jo vetëm shkretimit që shohim të gjithë që po na ikin të rinjtë. Jemi kthyer në një komb serrë që rrisim fëmijë për të tjerë”, tha Berisha.