Spitali Nënë Tereza ka dhënë versionin e saj të incidentit me njërin prej ashensorëve ku pas bllokimit të tij u dëmtuan pacientja e punonjësit e spitalit. Sipas QSUT-së ngjarja ka ndodhur gjatë transportimit të një pacienteje për kryerjen e një kontrolli radiologjik.
Në njoftim bëhet me dije se pacientja, e shoqëruar nga infermieri dhe barrelambajtësi, në dalje nga ashensori kanë pësuar lëndime si pasojë e defektit të ashensorit.
Më tej stafi i spitalit u kanë dhënë ndihmën e duhur mjekësore ndërsa pacientja është kontrolluar si për dëmtimin e pësuar ashtu edhe për atë për të cilin kishte shkuar të kontrollohej duke rezultuar me tromboemboli pulmonare.
QSUT thotë gjithashtu se të gjithë ashensorët janë në një sistem mirëmbajtje të plotë nga kompania e kontraktuar për shërbimin e mirëmbajtjes, të cilat kryhen periodikisht, sipas kontratës në fuqi.