Vendosni fjalën kyçe....

Digjet raundi i parë për zgjedhjen e presidentit, reagimi i parë nga opozita: Risia e Edi Ramës abortoi


Kuvendi u mblodh këtë të hënë në orën 17:00 për të folur për procesin për zgjedhjen e presidentit të ri, mirëpo nuk është paraqitur asnë kandidaturë.

Deputetja e PS-së Klotilda Bushka tha se nuk është depozituar asnjë kandidaturë dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi se të martën do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve në orën 10:00.

Pas kësaj, i pari që reagoi nga opozita ishte nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili.

Ai e cilësoi këtë një farsë 5 sekondëshe dhe një abort të risisë së kryeministrit Rama.

“Risia e Edi Ramës abortoi. E gjithë farsa, komedia e zezë që u luajt këto 2-3 muaj nuk kishte qëllim të krijonte një proces me risi për zgjedh e Presidentit, por zhurmë për të hequr vëmendjen nga aferat. Me gjithë daullet e çara të çingijeve të Rilindjes, patë më në fund që procesi i dhjetëra zarfeve ishte një abort total. Sot gjithë shqiptarët prisnin pas këtyre daulleve, jo ne, por aborti qe i plotë dhe besoj se asnjë shqiptar nuk mund ta imagjinonte që të paktën për sy e faqe të mos kishim qoftë edhe një kandidat, qoftë dhe një kloun sa për ta paraqitur sot në sallën e parlamentit. I gjithë qe një fiasko e vërtetë, një faqe e zezë e vërtetë!

Duhet shënuar në rekorde kjo farsë. Rama nuk ka seriozitet dhe nuk është shtetar. Ka atë qëllim të vjetër, etje të pashuar për të rrëmbyer institucionin e Kreut të Shtetit.
Me 71 vota sa ka do zgjedhë rripin e tij të mesit për ta çuar në Presidencë. Akti i parë u luajt dhe komedia u luajt sot me 5 sekonda.”- deklaroi Vasili në një prononcim për mediet.