Vendosni fjalën kyçe....

Prishja e teatrit dy vite më parë, Kryemadhi: U shemb nga bashkëpunimi i Lulit me Edin


Kryetarja e LSI-së Kryemadhi ka akuzuar kryeministrin Rama e ish-kreun e PD-së Basha për prishjen e Teatrit Kombëtar dy vite më parë.

Në një shënim në Facebook, ajo shkruan se teatri u shemb nga bashkëpunimi Rama-Basha e të tjerë, ndërsa thekson se godina do kishte mbijetuar nëse faktorët politikë, institucionalë, publikë e civilë do ishin bërë bashkë.

Kryemadhi shton se teatri është shembulli më i qartë se ajo që ofron Rama është dhënia përparësi e korrupsionit dhe interesave klienteliste mbi interesin qytetar.

“Teatri Kombëtar u shemb në 17 Maj 2020 nga bashkëpunimi Luli-Edi&Co për t’i lënë vendin betonit të korrupsionit qeveritar. Unë jam e bindur se ai teatër nuk do të ishte shembur kurrë dhe reagimi i qytetarëve të Tiranës, që u shprehën pa ngjyrime politike, do të kishte triumfuar, nëse do të ishin bërë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë, publik, civil. Kjo do të kishte krijuar një mburojë të pathyeshme për TK. Shumë prej këtyre më sipër, e humbën moralin, teksa nga kalorës të betejës fisnike për teatrin kombëtar, u kthyen në lypës shpresues për ndonjë metër katror në kullat e mëdha, apo ndonjë leje ndërtimi në bashkinë Tiranë. Në këtë ditë, le të shërbejë imazhi i shembjes së Teatrit Kombëtar, për të fiksuar në mendje se oferta e autokracisë Rama është përparësia e korrupsionit dhe interesave klienteliste mbi interesin qytetar. Dhe, se vendi ka nevojë për institucione publike me integritet, ashtu siç ka nevojë për drejtësi dhe opozitë të vërtetë, në mënyrë që betoni i korrupsionit dhe qytetet e boshatisura të mos jenë e ardhmja jonë e vetme.” – shkruan Kryemadhi.