Vendosni fjalën kyçe....

Agron Shehaj: Bregdeti shqiptar po grabitet nga “ministrat strategjikë”, Rama të japë llogari në Interpelancë


Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka dalë sot në një deklaratë për mediet për të denoncuar tjetërsimin e pronave në bregdet dhe përvetësimin e tyre nga zyrtarë të qeverisë Rama.

Sipas Shehajt, janë ministrat dhe zyrtarë të lartë të PS-së ata që po përvetësojnë pronat dhe plazhet në bregdetin shqiptar dhe përfitojnë favore përmes të ashtuquajturit “Ligj të Investimeve Strategjike”.

“Partia Demokratike po ndjek me vëmendje dhe shqetësim të madh aksionin e koordinuar dhe kriminal të qeverisë për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave në bregdet.

Çdo ditë qytetarët shqiptarë po njihen me fakte tronditëse se si bregdeti po grabitet nga ministrat, zyrtarët e lartë të PS-së dhe biznesmenët ortakë të qeverisë.

Mekanizmi kryesor që po përdoret dhe po bën të mundur këtë vjedhje të përmasave gjigande është ligji antikushtetues i Investimeve Strategjike. Në fakt ky ligj do të duhej të quhej ndryshe, ligji i ‘ministrave strategjikë’, sepse deri tani ka prodhuar vetëm ministra me hotelet dhe resortet e tyre dhe asnjë investim strategjik nga kompanitë e njohura të turizmit ndërkombëtar.

Shtatë vjet pas miratimit të tij nga maxhoranca socialiste, të gjithë duhet të bëjnë një pyetje: Cilët janë investitorët që sollën në Shqipëri ligjin e Investimeve Strategjike? Cilat janë brendet e njohura të Turizmit që po investojnë sot në bregdetin shqiptar?

Janë këta që po përvetësojnë pronat dhe plazhet në bregdetin shqiptar. Janë këta që po marrin favoret që vijnë me statusin e investitorit srategjik si falje taksash, ndërtim infrastrukture me paratë e qytetarëve, përvetësimi i pronës publike, etj.

E madje për llogari të tyre qeveria po përvetëson pronat e qytetarëve në shkelje flagrante të Kushtetutës.”– deklaroi Shehaj.

Mes të tjerash ai shtoi se PD ka thirrur në Interpelancë kryeministrin Edi Rama që të japë llogari lidhur me këto.

“Përballë këtyre fakteve PD ka thirrur në Interpelancë kryeministrin Edi Rama në lidhje me shpalljen ‘investitor strategjik’ të familjarëve të ministres Xhaçka. Kryeministri Rama duhet të japë llogari para qytetarëve se si me vendimin e qeverisë të datës 2 Mars 2022, i dha pronën publike në përdorim në Dhërmi familjes Xhaçka. Të japë llogari se si po shkatërron parqet kombëtare dhe u ndërton resorte kushërinjve të qeverisë, të japë llogari se si po falen qindra-mijëra hektarë tokë shtetërore për oligarkët.

PD është e angazhuar të mbrojë interesin publik nga ministrat dhe zyrtarët strategjikë të qeverisë dhe do vazhdojë të denoncojë të gjitha aferat korruptive të kësaj qeverie.”– përfundoi Shehaj.