Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk kritikon Joe Bidenin: Presidenti i vërtetë është ai që kontrollon teleprompterin


Elon Musk ka kritikuar presidentin Joe Biden gjatë një interviste dhe paralajmëroi se nëse qeveria e tij vazhdon të printojë para, inflacioni do të përkeqësohet dhe SHBA-ja mund të ndjekë rrugën e Venezuelës.

Musk, i cili pranoi se ka votuar “në shumicën dërrmuese për demokratët”, kritikoi Partinë Demokratike dhe Bidenin në veçanti.

“Presidenti i vërtetë është ai që kontrollon teleprompterin.”- tha CEO i Teslas sipas Fox News. “Rruga drejt pushtetit është rruga drejt teleprompterit.” Ai nënkupton kështu se Bideni nuk është ai që vendos në SHBA.

“Më duket sikur dikush që do të mbështetej aksidentalisht në teleprompter, do të ishte si Anchorman”- shtoi Musk, duke iu referuar filmit të vitit 2004 ku Ron Burgundy lexon çdo gjë që shkruhet në teleprompter, edhe nëse kjo do të shkatërronte karrierën e tij.

Duke folur më tej, biznesmeni tha se “Kjo administratë duket se nuk ka bërë shumë” në zgjidhjen e problemeve.

Ai shtoi se “Administrata Trump, duke lënë mënjanë Trumpin, kishte shumë njerëz në administratë që ishin efektivë në kryerjen e gjërave”.

Musk pohoi gjithashtu se Partia Demokratike është “tepër e kontrolluar nga sindikatat dhe nga avokatët e gjyqit, veçanërisht avokatët e grupit të veprimit.” Ai argumentoi se kur demokratët shkojnë kundër “interesave të popullit”, kjo ka tendencë të vijë nga sindikatat dhe avokatët e gjyqit, ndërsa kur republikanët e bëjnë këtë, “është për shkak të së keqes së korporatës dhe fanatizmit fetar”.

“Në rastin e Bidenit, ai thjesht është shumë i kapur nga sindikatat, gjë që nuk ishte rasti me Obamën.”- tha Musk. Shefi ekzekutiv i Tesla-s e mbrojti Obamën si “mjaft të arsyeshëm“, por këmbënguli që Bideni i jep përparësi sindikatave përpara publikut.