Vendosni fjalën kyçe....

“Ikni flini gjumë se nuk do shembet sot”-Budina: Lulzim Basha na tradhtoi për Teatrin


Kur kanë kaluar 2 vite nga prishja e Teatrit Kombëtar, regjisori Edmond Budina ka treguar në emisionin “Sot” në Euronews Albania si u tradhtua nga Lulzim Basha.

Budina rrëfen se atë natë që u shemb Teatri politikanët e opozitës i thanë të largoheshin nga protesta duke i siguruar se kishin informacion se nuk do shembej godina.

“Mendoni ju se nuk e dinte opozita që atë natë nuk do shembej teatri? Pse na thanë ata që ikni se nuk do prishej atë natë? Ata politikanët e pranishëm na thanë ikni se keni 3 netë pa gjumë, se kemi informacion se nuk do ndërhyjë policia”, tha Budina.

Ai deklaroi më tej se Basha nuk iu përgjigj disa mesazheve të tij dhe shtoi se i ka thënë në sy ish-kryedemokratit që të mos tradhtonte kauzën e tyre.

“Mendimi im personal është që kryetari i Partisë Demokratike na la në baltë. Ne frikën e kemi pasur që në fillim. Unë të paktën, personalisht i kam thënë në sy, mos na tradhto, në momentin që hymë në sallë dhe firmosi kontratën. Pse them unë që na tradhtuan? Doli edhe Ilir Meta tha, e kam marrë në telefon Lulzim Bashën dhe nuk më është përgjigjur. Të njëjtën gjë më bëri edhe mua, muaj më pas”, tha regjisori.