Gjykata e Apelit ka lënë në burg ish-ministrin Mjedisit Lefter Koka i cili akuzohet për ryshfet lidhur me kompanitë fiktive për inceneratorin e Elbasanit.
Koka akuzohet për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrim parash’ e ‘korrupsion’.
“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 18.05.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u shpall vendimi lidhur me çështjen nr. 14, datë 10.05.2022 regjistrimi, me objekt “ankim ndaj vendimit të caktimit të masës së sigurimit personal”, në ngarkim të personave nën hetim A.M., S.C., P.A., L.K., E.K., ku trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Ilirian Olldashi, vendosi:
1.Miratimin e vendimit nr. 22, datë 26.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë
për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për disponimet lidhur me ankuesit L.K., P.A., A.M., E.K. dhe S.C..
2.Miratimin e vendimit nr. 23, datë 31.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë
për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për disponimet lidhur me ankuesit L.K., P.A., S.C. dhe miratimin e vendimit nr. 34, datë 09.04.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për disponimet lidhur me ankuesen E.K.” – thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.