Nga Telnis Skuqi
Norvegjezi 39 vjeçar, Espen Andersen Bråthen, që akuzohet për vrasjen e pesë personave, katër gra dhe një burrë, përkatësisht të moshës 78, 75, 52, 56 dhe 75 vjeç, pranoi fajësinë penale për të gjitha akuzat për sulmin brutal të 13 tetorit 2021 në Kongsberg, gjatë seancës së parë gjyqësore që nisi sot në Olso. Bråthen akuzohet për vdekjen e pesë personave, njëmbëdhjetë tentativa për vrasje, si dhe për kërcënimet e panumërta.
Prokuroria dhe avokatët e të pandehurit besojnë se 39 vjeçari është totalisht i sëmurë mendërisht, por është juria që do të vendosin fatin e tij. Të gjitha indikacionet tregojnë se Bråthen do të dënohet me kujdes të detyrueshëm të shëndetit mendor.
Espen Andersen Bråthen brenda supermarketit Coop Extra në Kongsberg. Pamjen nga kamera e vëzhgimit u publikuar sot nga Televizioni Publik Norvegjez (NRK)
Kur filloi gjyqi në orën 09:00, ai iu përgjigj me qetësi pyetjeve të gjyqtarit dhe tha, se: “Ai ishte një kuzhinier i trajnuar”, ndërsa avokati Fredrik Neumann, shtoi se “Ky (Bråthen) është një njeri shumë i sëmurë”.
Njëkohësisht mbrojtësi i të pandehurit paralajmëroi trupin gjykues se gjatë seancave gjyqësore do të paraqiten detaje shumë të pakëndshme, si dhe shumë stresuese për t’u dëgjuar. Ekspertët besojnë se i pandehuri është diagnostikuar me skizofreni paranojake.
“Nuk ka dyshime se i akuzuari ka qenë nën ndikimin e drogës në lidhje me incidentet”, – shprehen ekspertët e shëndetësisë. Prokurori Andreas Christiansen thotë se Bråthen ka shpjeguar gjatë procesit gjyqësor se ai donte të vriste sa më shumë që të ishte e mundur, duke i shoqëruar me foto nga skenat e krimit në Kongsberg ku njerëzit qëlloheshin pas me hark dhe shigjetë.
Bråthen thotë se është penduar Kur Bråthen mori fjalën, ai tha se para vrasjeve kishte pasur probleme me shikimin sepse jetonte i vetmuar në një apartament të errët.
“Mendova se do të verbohesha, prandaj vendosa të dilja në rrugë për të vrarë sa më shumë njerëz, me idenë se do të rilindja sërish”, – tha ai.
Më tej, i pandehuri shtoi se tashmë ai është besimplotë, nuk do të verbohet dhe nuk do të vrasë jetë njerëzore.
“Është gabim të vrasësh. Tani nuk do të vras më kurrë. Më vjen keq për atë që kam bërë dhe do të doja që ata që vrava të ishin gjallë. Nuk ishte ky qëllimi im”, – përfundoi ai.