Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK Arben Kraja dhe drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano kanë dalë në një konferencë për shtyp, në lidhje me mega operacionin e nisur prej mëngjesit të sotëm, të shtirë në disa qytete.
“BKH dhe policia kanë kryer veprime të shumta hetimore për zbulimin e autorëve të disa ngjarje të rënda kriminale në disa qytete të vendit.
Pas hetimeve të shumta grumbullohen prova në drejtim të shumë ngjarjeve të rënda kriminale dhe autorëve të tyre.”- tha Kraja.
Konkretisht, Kraja tha se bëhet fjalë për 8 grupe kriminale. Katër në Elbasan, tre në Tiranë dhe një në Durrës.
“SPAK ka regjistruar më datë 14 prill, për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet përkatëse.
Si dhe veprat penale armëmbajtje pa leje. Në vijim të hetimeve, vrasjet të mbetura në tentativë, vepra dhune, shkatërrim prone etj. Janë tërhequr dosjet për këto veprat penale. Hetimet e kryera kanë evidentuar ekzistencën e 8 grupeve kriminale, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
4 grupe në Elbasan 3 në Tiranë dhe 1 në Durrës. Karakteristikë është dhuna e egër e shkaktuar. Ata bashkëpunojnë me grupe kundërshtare. Grupet kriminale paguanin shumë të mëdha parash për vrasjen e kundërshtarëve. Flitet për një shkallë të lartë organizimi. Pas kërkesës së SPAK janë caktuar masat e sigurisë për 32 shtetas. Është autorizuar kontrollet e banesave për 28 shtetas të tjerë.”– tha Kraja.
Më herët u mësua se Suel Çela, Ervis Martinaj e dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit Sokol Shanxhaktari e Talo Çela, janë mes 32 emrave ndaj të cilëve prokuroria ka lëshuar 32 urdhërarreste në një aksion të gjerë të nisur mëngjesin e sotëm në disa qytete të vendit.
Emrat e personave janë zbuluar pas dëshmisë që ka dhënë Nuredin Dumani. Alban Bengasi është mes të arrestuarve gjatë operacionit të SPAK, i njohur si avokati i Florenc Çapjes. Është e paqartë se për çfarë akuzohet avokati. Ndërsa Florenc Çapja kujtojmë se ndodhet në arrati.