Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi i përgjigjet Alibeajt: S’ke asnjë tagër për të thirrur mbledhje e për të nxjerrë emra për Presidentin


Deputeti i grupit të ‘Rithemelimit’ Oerd Bylykbashi i është përgjigjur Enkelejd Alibeajt lidhur me deklaratat e këtij të fundit pas mbledhjes së sotme me 25 deputetë ku u propozuan disa emra si kandidatë për presidentë.

Bylykbashi thekson se Alibeaj nuk ka asnjë tagër të mbledhë deputetët, të hedhë në tryezë emra kandidatësh për të legjitimuar procesin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, marrëveshja e Alibeajt me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Ballën, i garanton kryeministrit Rama legjitimitetin e procesit për kapjen e Presidencës.

 “’Verba volant, scripta manent’ thonë latinët. Shqip, fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet.

Ajo që mbetet është që marrëveshja e Alibeajt me Ballën i garanton Ramës legjitimimin e procesit të tij për kapjen e presidentit.

Marrëveshja i mundëson Ramës që në morinë e emrave të hedhur mbi tryezë, të fshehë emrin që ka planifikuar.

Marrëveshja që ka dakordësuar Alibeaj i mundëson Ramës që të sigurojë 84 mandate për kandidatin e tij që ta shesë si kandidat konsensual.

Marrëveshja i jep mundësi Ramës që të caktojë një opozitë hollesh përkundër opozitës së votës e me votat e tyre të caktojë presidentin e më tej, të ndryshojë sistemin zgjedhor, hartën e ndarjes territoriale, për të mbajtur pushtetin.

Alibeaj përpiqet të ndryshojë statutin e Partisë Demokratike duke anashkaluar Kuvendin Kombëtar dhe Këshillin Kombëtar, dy organet më të larta përfaqësuese të PD.

Alibeaj nuk ka asnjë tagër të mbledhë deputetët, të hedhë në tryezë emra kandidatësh për të legjitimuar procesin e Ramës.

Deputetët e Partisë Demokratike përfaqësojnë vullnetin e saj dhe nuk bëhen fasadë e kapjes së pushteteve prej Edi Ramës.”– thuhet në reagimin e Bylykbashit, duke lënë të kuptohet se ndoshta deputetët e Rithemelimit do të mungojnë përsëri në mbledhjen e radhës të thirrur për nesër nga Alibeaj.