Vendosni fjalën kyçe....

Luçiano Boçi: Rama po e përdor Alibeajn si “sekser politik” për t’i vënë kushte PD-së


Negociatori i grupit të “Rithemelimit” për çështjen e Presidentit, Luçiano Boçi, e ka quajtur Enkelejd Alibeaj “sekser politik”.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama po e përdor deputetin demokrat si “sekser politik” për t’i vendosur kushte Partisë Demokratike.

“Tani që Rama ka zyrtarizuar Alibeajn si sekser politik, mendon se mund t’i vendosë kushte Partisë Demokratike.

Deklaron teatralisht se do të thërrasë dhe grupin e rithemelimit për negociatat me kusht!?

Një i shkarkuar nga demokratët nuk mund të vendosë kushte.

Këtë thirrje nuk e ka seriozisht dhe sinqerisht për zgjedhjen e Presidentit.

Pasi hodhi në erë procesin kushtetues për presidentin, duke u ulur në prehrin e Ramës si i preferuari i tij, tani po kërkon të kënaqë Ramën dhe të sanksionojë përçarjen e Grupit Parlamentar në dy grupime, njërin prej të cilëve e zotëron ai me hipotekë.

Grupi Parlamentar i PD është një, jo siç do ta shohë z. Alibeaj, të bërë copash.”– shkruan Boçi.

Ky reagim i Boçit vjen pas zhvillimeve të sotme, ku në një mbledhje të thirrur nga Alibeaj ku morën pjesë 25 deputetë u propozuan disa emra për president. Alibeaj tha pas mbledhjes se një tjetër mbledhje do mbahej nesër ku pritej të dëgjohej edhe mendimi i deputetëve që munguan (anëtaët e Rithemelimit), por përjashtoi këtu ish-kryeministrin Sali Berisha.