Vendosni fjalën kyçe....

“Të nisin hetimet” – Jeffrey Sachs tregon prova se Covid-19 mund të jetë krijuar në laborator (HULUMTIMI)


Që pas shpërthimit të pandemisë së shkaktuar nga virusi SARS-CoV-2 në janar të vitit 2020 në Kinë, origjina e virusit ka qenë temë e debatit intensiv shkencor dhe spekulimeve publike.

Dy hipotezat kryesore janë se virusi doli ose nga ekspozimi i njeriut ndaj një kafshe të infektuar, ose se ai u krijua në laborator.

Një artikull i publikuar së fundmi në revistën shkrencore “Proceedings of the National Academy of Sciences” sugjeron se ajo që ka ndodhur është kjo e dyta.

Në artikullin në fjalë të botuar të enjten, ekonomisti Jeffrey Sachs bëri thirrje për një hetim të pavarur të informacionit të mbajtur nga institucionet me bazë në SHBA që mund të hedhin dritë sipas tij mbi origjinën e pandemisë Covid-19.

Sachs dhe bashkëautori i artikullit Neil Harrison, profesor i farmakologjisë molekulare dhe terapeutikës në Universitetin e Kolumbisë, thanë se agjencitë dhe universitetet federale posedojnë prova që nuk janë shqyrtuar në mënyrë adekuate, duke përfshirë: bazat e të dhënave të viruseve, mostrat biologjike, sekuencat virale, komunikimet me email dhe fletoret e laboratorit.

Sachs dhe Harrison theksuan gjithashtu një detaj shkencor që mund të jetë një tregues se SARS-CoV-2, e ka origjinën në një laborator: një sekuencë prej tetë aminoacidesh në një pjesë kritike të proteinës së majës së virusit është identike me një sekuencë aminoacide që gjendet në qelizat në rrugët e frymëmarrjes njerëzore.

Artikulli ofron një hartë shkencore të rrugës se si kjo sekuencë e pazakontë e aminoacideve mund të ketë hyrë në vendin e ndarjes së furinës, ose FCS, të virusit. Sachs dhe Harrison pranojnë se sekuenca mund të kishte lindur natyrshëm. Por ata parashtrojnë gjithashtu një mundësi tjetër: që shkencëtarët mund ta kenë futur qëllimisht këtë varg të veçantë aminoacidesh në një koronavirus të lakuriqit të natës gjatë punës së tyre.

Ata fokusohen veçanërisht te shkencëtarët që paraqitën një propozim granti të pafinancuar tek një divizion i Departamentit të Mbrojtjes të quajtur Agjencia e Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes, ose DARPA. Sipas Sachs dhe Harrison këta shkencëtarë kishin plane për të futur një zonë të ndarjes së furinës në një koronavirus të lakuriqit të natës.

Synimi i propozimit të DARPA ishte të “parandalonte kërcënimet patogjene në zhvillim”, por puna, nëse do të kryhej, mund të kishte krijuar një virus të ri të aftë të infektonte njerëzit.

Disa shkencëtarë të intervistuar në lidhje me propozimin e DARPA në shtator i thanë gazetës “The Intercept” se shkencëtarët shpesh i fillojnë kërkimet përpara se të kërkojnë fonde dhe kështu që disa nga eksperimentet e përshkruara në propozim mund të ishin përfunduar tashmë.

Por kur u pyet për këtë në një intervistë, Peter Daszak, presidenti i Aleancës EcoHealth, e hodhi poshtë atë: “Propozimi i DARPA-s nuk u financua. Prandaj, puna nuk u krye. E thjeshtë.”

Sachs dhe Harrison shkruajnë se hetimi për origjinën e virusit është bërë i vështirë për shkak të mungesës së provave kryesore që nga ditët më të hershme të shpërthimit – nuk ka dyshim se një transparencë më e madhe nga ana e autoriteteve kineze do të ishte jashtëzakonisht e dobishme.

“Megjithatë, ne argumentojmë këtu se ka shumë informacione të rëndësishme që mund të nxirren nga institucionet kërkimore me bazë në SHBA, informacion që ende nuk është vënë në dispozicion për shqyrtim të pavarur, transparent dhe shkencor.”- thonë ata.

Sachs dhe Harrison, sugjerojnë se studiuesit mund të kenë futur vargun e aminoacideve në një koronavirus të lakuriqit të natës pikërisht për shkak të rëndësisë së tij të njohur për funksionin e mushkërive.

“Për një ekip hulumtues që vlerëson potencialin pandemik të koronaviruseve të lidhura me SARS, FCS e ENaC-së njerëzore – një FCS që dihet se ndahet në mënyrë efikase nga furina e bujtësit e pranishme në vendndodhjen e synuar (qelizat epiteliale) të një organi të rëndësishëm të synuar (mushkëri), organizmi i synuar (njerëzor) – mund të jetë një zgjedhje racionale, nëse jo e dukshme, e FCS për t’u futur në një virus në mënyrë që të ndryshojë infektueshmërinë e tij, në përputhje me punët e tjera të kryera më parë.”– shkruajnë ata.

Një zgjedhje e tillë, theksojnë ata, do të ishte në përputhje me një projekt tjetër kërkimor viral në të cilin bashkëpunuan Aleanca EcoHealth, Instituti i Virologjisë Wuhan dhe Baric i UNC: një grant i vitit 2014 nga Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive që përfshinte rritjen e transmetueshmërisë dhe patogjenitetit të koronaviruseve të lakuriqëve të natës.

LISTA E RASTËSIVE NË RRITJE

Teoria intriguese e inxhinierisë virale varet nga dy vëzhgime: se sekuencat e aminoacideve përputhen dhe se ekspertët si në vendin e ndarjes së furinës ENaC-alfa ashtu edhe në futjen e sekuencave gjenetike në koronaviruset e lakuriqëve të natës funksionojnë në të njëjtin institucion akademik: Universiteti i Karolinës së Veriut, Chapel Hill.

Baric, puna e të cilit synon të parandalojë dhe krijojë trajtime për shpërthimet virale, ka futur më parë segmente të ADN-së dhe ARN-së në viruse dhe ka krijuar një klon infektiv të SARS duke përdorur metodën e tij të patentuar “No See’m” për futjen e materialeve gjenetike pa gjurmë. Ai gjithashtu ka bashkëpunuar në kërkimin e koronavirusit me shkencëtarë nga një qendër për studime të mushkërive në UNC-Chapel Hill, të cilët kanë njohuri për ENaC-alpha.

Në një studim të vitit 2016, shkencëtarët krijuan një virus të ri duke përdorur majën e një koronavirusi të lakuriqit të natës që ishte izoluar dhe karakterizuar nga Instituti i Virologjisë në Wuhan. Eksperimenti zbuloi se virusi i ri “përsëritet në mënyrë efikase” në qelizat e rrugëve të frymëmarrjes njerëzore që u kultivuan në një laborator.

Në një punim tjetër, të botuar një vit më parë, Baric, së bashku me Shi Zhengli të Institutit të Virologjisë në Wuhan dhe një ekspert të mushkërive në institutin e mushkërive UNC-Chapel Hill, përshkruan krijimin e një virusi hibrid duke përdorur një virus të ngjashëm me SARS nga një lakuriq nate dhe një koronavirus të përshtatur për minjtë. Virusi i ri bëri që minjtë të sëmureshin më shumë se ata të ekspozuar ndaj virusit origjinal. Qëllimi i këtyre eksperimenteve ishte përgatitja për mundësinë që një virus mund të kërcejë natyrshëm nga kafshët te njerëzit, siç kishte ndodhur me SARS në vitin 2003. Por edhe para pandemisë, eksperimenti tërhoqi kritika nga shkencëtarë të tjerë, të cilët ishin të shqetësuar sepse studiuesit kishin krijuar një virus që ishte në gjendje të përhapej te njerëzit.

Sachs dhe Harrison vënë në dukje se shkencëtarët që ishin bashkëautorë të propozimit të grantit të DARPA-s do të kishin qenë të vetëdijshëm për kërkimet në vendet e ndarjes së furinës së koronavirusit, duke përfshirë një eksperiment të vitit 2006, në të cilin një vend i ndarjes së furinës u fut në një koronavirus.

“Ekipi hulumtues do të kishte gjithashtu njëfarë familjariteti me sekuencën FCS dhe mekanizmin e aktivizimit të varur nga FCS të ENaC njerëzore, i cili u karakterizua gjerësisht në UNC.”– shkruajnë ata.

Megjithatë, si mbivendosja në sekuencën e aminoacideve ashtu edhe fakti që ekspertët në vendin e ndarjes së furinës së ENaC-alfa dhe futja e materialit gjenetik në koronaviruset e lakuriqëve të natës punojnë në të njëjtin universitet mund të jenë të rastësishme, siç pranojnë Harrison dhe Sachs. Megjithatë, disa virologë thonë se rastësia e sforcon besueshmërinë.

Richard Ebright, një biolog molekular në Universitetin Rutgers, kur u pyet për mundësinë që këto gjëra të jenë të dyja dukuri të rastësishme ai përgjigjet: “Mundet. Por lista e rastësive po bëhet shumë e gjatë.”

Ebright, një ithtar i hetimit të origjinës së SARS-CoV-2 dhe i hetimit të përhapjes natyrore dhe të lidhur me kërkimin, të cilin Harrison dhe Sachs e falënderojnë “për komentet e dobishme mbi dorëshkrimin”, përshkroi disa nga rastësitë e tjera të Covid që ai i konsideron të dyshimta.

Këtu përfshin shpërthimin fillestar të kioronavirusit në një qytet që, shumë përpara vitit 2019, ishte përcaktuar tashmë si një rrezik biosigurie. Ebright vuri në dukje gjithashtu distancën 1000 milje të Wuhan-it nga lakuriqët më të afërt të egër që mbartin llojin e koronaviruseve të lidhura me SARS që shkaktuan pandeminë. Dhe ai vuri në dukje kodimin e veçantë të aminoacideve në vendin e ndarjes së furinës së SARS-CoV2.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e The Intercept / Përshtatur në shqip nga Hashtag.al

*Kliko këtu për studimin origjinal të publikuar në revistën shkencore PNAS