Vendosni fjalën kyçe....

Basha kujton Revoltën e Spaçit: Ato 3 ditë ishin një shkëndijë në terrin e diktaturës


Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përkujtuar sot përmes një mesazhi në rrjetet sociale 49-vjetorin e Revoltës së Spaçit.

Basha shkroi se Revolta e Spaçit është kthyer në një nga simbolet e rezistencës antikomuniste, që frymëzon edhe sot për guximin dhe patriotizmin e atyre burrave që ngritën krye për liri.

 “49 vite më parë, një grup të burgosurish politikë ngritën në Spaç flamurin kuqezi, pa yllin komunist, dhe shpallën aty një zonë të lirë nga diktatura. Ato 3 ditë lirie ishin një shkëndijë në terrin e diktaturës komuniste, që i treguan Shqipërisë dhe botës se rezistenca mbijetonte, pavarësisht dhunës dhe represionit të diktaturës.

Qëndresa brenda burgut më famëkeq të komunizmit, në një vend të kthyer në një burg në qiell të hapur për të gjithë shqiptarët, e ka kthyer Revoltën e Spaçit në një nga simbolet e rezistencës antikomuniste, që frymëzon edhe sot për guximin dhe patriotizmin e atyre burrave që në orët më të errëta, ngritën krye për liri.

Lavdi martirëve të Revoltës së Spaçit!”– shkruan Basha.

Një mesazh me këtë rast ka edhe Enkelejd Alibeaj, i cili ka bërë një paralelizëm me kohën e sotme.

“Përkujtimi i atij akti e atyre heronjve, është nderim jo vetëm i qëndresës ndaj diktaturës por dhe respekt ndaj obligimit për të shkëputur përfundimisht vendin nga kthetrat e diktaturës së hajdutëve dhe kriminelëve dhe për ta rikthyer atje ku i takon, në gjirin e Perëndimit.”- ka shkruar Alibeaj.