Përhapja e fundit e virusit të lisë së majmunëve ka shtyrë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të thërrasë një mbledhje urgjente, raportoi në fundjavë gazeta britanike Telegraph.
Sëmundja, e cila zakonisht kufizohet në zonat pyjore të Afrikës perëndimore dhe qendrore, është përhapur me shpejtësi në një numër vendesh evropiane, si dhe në SHBA dhe Australi që nga fillimi i majit.
Sipas raportit, në krye të agjendës së takimit janë mekanizmat pas transmetimit të virusit dhe strategjitë e mundshme të vaksinimit. Dr Mike Ryan, Drejtor Ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, thuhet se po merr pjesë në diskutim.
Gazeta pretendon se OBSH po shqyrton nëse vaksinat kundër lisë mund të përdoren në mënyrë efektive për të trajtuar përhapjen e lisë së majmunëve.
Ndërkohë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tashmë ka porositur rezerva shtesë të vaksinës kundër lisë, e cila po u bëhet njerëzve që mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj lisë së majmunëve, transmeton Telegrap.
Sekretari i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Sajid Javid tha të premten se 11 raste të tjera të lisë së majmunëve ishin identifikuar, duke dyfishuar numrin e infeksioneve të njohura në vend.
Raporti i gazetës thotë se të paktën gjashtë nga rastet e pohuara në Mbretërinë e Bashkuar janë zbuluar mes burrave homoseksualë ose biseksualë.