Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky: Tani kemi 700 mijë ushtarë nga 120 mijë në fillim të sulmit të Rusisë, i shihni vetë rezultatet


Madhësia e ushtrisë ukrainase tani është pothuajse gjashtë herë më e madhe se sa ishte në fillim të konfliktit midis Kievit dhe Moskës, ka pohuar presidenti Volodymyr Zelensky.

“Ne kishim nevojë për një ushtri prej më shumë se 250,000 ose 260,000, por kishte vetëm rreth 120,000 trupa të gatshme për betejë në Ukrainë para fillimit të operacionit ushtarak rus në fund të shkurtit.” – tha Zelensky për gazetën ‘Ukraine 24’.

Presidenti vuri në dukje se ai kishte dhënë një urdhër në fillim të vitit 2022 për të rritur numrin e ushtarëve me 100,000 të tjerë ‘pa marrë parasysh nëse kishim para apo jo’. Por ai pranoi se edhe këto shifra nuk ishin të mjaftueshme për të ndaluar ushtrinë ruse.

“Sot janë 700,000. Tani i shihni rezultatet e punës së 700 mijë ushtarëve që po luftojnë.” – shtoi ai.

Zelensky urdhëroi një mobilizim të përgjithshëm pas fillimit të konfliktit, duke thënë se të gjithë burrat e moshës nga 18 deri në 60 vjeç duhet të qëndrojnë në vend dhe të luftojnë.

Në fillim të kësaj jave, një ligj u dorëzua në parlamentin ukrainas që kërkonte që ata meshkuj që arritën të iknin dhe nuk kthehen në vend brenda 30 ditëve, t’u hiqet shtetësia.