Gjykata e Lartë e Shqipërisë është pranuar si anëtare e Shoqatës “ACA Europe”, e cila është Shoqata e Këshillave të Shtetit dhe Juridiksioneve të Larta Administrative të Bashkimit Evropian.
Anëtarë të ACA-Europe janë gjykatat më të larta administrative në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian si dhe Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
“Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, me kërkesë të Zëvendëskryetarit të saj z. Sokol Sadushi, u anëtarësua me statusin e anëtarit të asociuar, në Shoqatën e Këshillave të Shtetit dhe Juridiksioneve të Larta Administrative të Bashkimit Evropian (ACA Europe).”- bën me dije përmes një njoftimi për mediet Gjykata e Lartë.
Zëvendëkryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të këtij organizmi me fokus gjykimin administrativ. Punimet e asmblesë u zhvilluan në datat 23-24 maj.
Sadushi ishte i ftuar nga Presidenti i Këshillit të Shtetit të Republikës së Italisë, njëherazi dhe Presidenti i ACA Europe, Franco Frattini.
“Z. Frattini priti gjithashtu në një takim të posaçëm Z. Sadushi, me të cilin shkëmbeu mendime mbi ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit sa më të afërt dhe të plotë të Shqipërisë në BE, një nga kushtet e së cilës është edhe garantimi i një sistemi gjyqësor efektiv dhe profesional.
Zëvendëskryetari Sadushi përshëndeti Mbledhjen e Përgjithshme të ACA-Europe, si dhe shprehu mirënjohje dhe vlerësim për pranimin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ne rrethin e ACA-Europe.”- thuhet në njoftimin e Gjykatës.