Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores së Tiranës, Elfrida Bregova si dhe të gjyqtarit të Tiranës, Kastriot Gramshi.
Kujtojmë se Gramshi dhe Bregova janë konfirmuar njëri në Mars e tjetri në Prill nga KPK pasi iu nënshtruan procesit të Vettingut, por Komisionerët kanë ankimuar vendimet.
Kujtojmë se ankimimi për Gramshin u kërkua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), pavarësisht konfirmimit të tij në detyrë nga KPK më 25 mars. Hashtag.al zbuloi përmes disa shkrimeve se si gjyqtari i mashtroi anëtarët e Komisionit të Vettingut, ndërsa jepte shpjegime për një ndërtim shtesë pa leje që kishte dyfishuar hapësirën e shtëpisë së tij si dhe vendimin ku Gjyqtari jepte dënim për një qytetar që kishte ndërtuar pa leje ndërsa po ai vetë kishte ndërtuar pa leje (Lexo këtu).
Lidhur me rekomandimin e ONM-së, Komisioneri Publik thotë se po e shqyrton në të njëjtën kohë me vendimin e KPK-së.
Vendimi i Komisionerit për Gramshin
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 519, datë 25.3.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Kastriot Gramshi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, në zbatim dhe të Rekomandimit të ONM-së, për të ushtruar ankim, konstaton se nga shqyrtimi i vendimit nr. 519, datë 25.3.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të gjykimit, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 519, datë 25.3.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Gramshi.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, Ankimi bashkë me Rekomandimin e ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Vendimi i Komisionerit për Bregovën
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 524, datë 8.4.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Elfrida Bregova, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Komisioneri Publik konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 524/2022, të Komisionit, dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, për të cilat çmon se ky vendim është eventualisht i cenueshëm, së paku, në lidhje me kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë të figurës, pasi përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ, të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit nr. 524, datë 8.4.2022.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.