Vendosni fjalën kyçe....

OKB numëron mbi 3 mijë e 900 civilë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus


Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka regjistruar 8 mijë e 628 civilë të vrarë ose të plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus. Këtu përfshihen 3 mijë e 974 të vrarë dhe 4 mijë e 654 të plagosur.

Deklarata në fjalë është bërë nga OHCHR.

Duke iu referuar këtij raporti, Ukrinform shkruan se në mesin e të vrarëve, kishte 1 mijë e 497 burra, 985 gra, 91 vajza dhe 99 djem, si dhe 69 fëmijë dhe 1 mijë e 233 të rritur, gjinia e të cilëve nuk dihet ende.

Ndërsa në mesin e të plagosurve ishin 938 burra, 619 gra, 108 vajza dhe 130 djem, si dhe 164 fëmijë si dhe 2 mijë e 695 të rritur, gjinia e të cilëve ende nuk dihet.

Shumica e viktimave civile u shkaktuan nga përdorimi i armëve shpërthyese. OHCHR beson se shifrat aktuale janë dukshëm më të larta, pasi marrja e informacionit nga disa vende ku kanë ndodhur përplasje të forta është vonuar dhe shumë raporte janë ende në pritje të vërtetimit.

Ky problem lidhet me qytetin e Mariupolit (Rajoni Donetsk), Iziumit (Rajoni Kharkiv) dhe Popasnas (Rajoni Luhansk), ku ka pretendime për viktima të shumta civile.