Një marrëveshje hidrokarbure që daton në 2007-ën, por që ndër vite ka pësuar ndryshime sa i takon kompanive që kanë fituar të drejtat për shkak të transferimit të interesave është rikthyer sërish në vëmendje.
Delvina Gas Company ka aplikuar pranë autoriteteve publike për plotësimin e hallkave të nevojshme që lidhen me zhvillimin e vendburimit të Delvinës sa i takon kërkimit dhe shfrytëzimit të gazit natyror.
Vendburimi i Delvinës i cili zbuluar në vitin 1987, me pusin Del-4 dhe pusin Del-12, sipas dokumenteve jep aktualisht një prodhim të stabilizuar në masën 8-10 mije Nm3 /ditë. Intensifikimi i punës në puset e tjera dhe kryerja e punimeve për përmirësimin e këtij aspekti duket se synojnë pikërisht rritjen e prodhimit të gazit.
Kompania në dokument pranon se nuk do të zhvillojë sheshe të tjera përveç atij ekzistues ndërkohë që ndalet tek investimet që do të bëhet në puse me pajisje shtesë.
“Në planet e kompanisë është që të përdoren sheshet ekzistues të puseve, të cilët janë në pronësi të Albpetrol dhe që janë marrë në administrim nga Delvina Gas Company dhe aktualisht nuk kemi ndonjë plan për ndërtimin e ndonjë sheshi të ri. Sheshet ekzistues dhe rrugët hyrëse janë si më poshtë: a. Sheshi i pusit Delvina 4; Sheshi i pusit Delvina 9; c. Sheshi i pusit Delvina10; d. Sheshi i pusit Delvina 12; e. Sheshi i pusit Delvina 14; f. Sheshi i pusit Delvina 17; g. Sheshi i pusit Delvina 31; h. Sheshi i pusit Delvina 32; i. Sheshi i pusit Delvina 33; j. Sheshi i pusit Delvina 34” thuhet në dokument.
Ndërkohë për sheshet e puseve Delvina 31 dhe 33, ato janë përfshirë në listë pasi janë marrë ne administrim nga Delvina Gas Company, por që ne programin afatshkurtër dhe afatmesëm të kompanisë nuk parashikohet të bëhen punime nga këto sheshe.
“Ne sheshet e puseve D-10, D-34, D-14, D-17 ku parashikohen të zhvillohen operacione hidrokarbure për rivënien e puseve në shfrytëzim (D-10 dhe D-4), apo për shpimin e puseve, do të instalohen pajisjet sipërfaqësore të trajtimit/grumbullimit të gazit dhe kondensatit,. Në rastin e kryerjes së operacioneve hidrokarbure të shpimit të puseve nga sheshet e puseve D10, D-14, D-17, dhe D-34, do të ndërtohen dhe tubacione kondensati që lidhin këto puse me pusin D-12 ose D-34, ku do të jetë qendra e grumbullimit të kondensatit si dhe tubacione gazi që do të lidhin puset D-4, D-12, D-34, D-14 dhe D-17 me pusin D-10, ku parashikohet të instalohet pajisja për pastrimin e gazit” thuhet në dokument.
Kompania Delvina Gas Company LTD është themeluar me 13 Janar 2016 në British Virgin Islands, me një dege të regjistruar në Republikën e Shqipërisë. Ajo fitoi përmes transferimit të drejtën mbi operacionet në zonën e Delvinës përmes në marrëveshjeje të vitit 2016 me Albpetrol Sh.a., Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe TransAtlantic Albania LTD që i transferuar 100% të interesave dhe Delvina Gas Company.
Marrëveshja Hidrokarbure dhe Licenca parashikojnë Kërkimin, Zhvillimin dhe Prodhimin e Hidrokarbureve në Bllokun e Delvinës. Kjo marrëveshje në formën e saj fillestare është nenshkruar me 23 Gusht 2007 ndërmjet Albpetrol Sh.a dhe Stream Oil & Gas LTD dhe kontraktori i asaj kohe mori në dorëzim të gjitha puset dhe asetet e tjera në vendburimin e Delvinës dhe filloi aktivitetin e zhvillimit të vendburimit Delvine dhe prodhimit te hidrokarbureve. /N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor