Njëmbëdhjetë foshnja të porsalindura kanë vdekur pas një zjarri që përfshiu një spital në qytetin perëndimor të Tivaouane, në Senegal.
Presidenti i vendit Macky Sall tha se zjarri nisi në departamentin e maternitetit. Siç shkruan BBC, raportet fillestare sugjerojnë se zjarri u shkaktua nga një qark i shkurtër.
Kryebashkiaku i qytetit, Demba Diop Sy tha se tre foshnja u shpëtuan nga zjarri. Ai tregoi për mediet se zjarri u përhap shumë shpejt dhe shërbimet e urgjencës ishin ende në vendngjarje. Spitali ku ndodh ngjarja ishte inauguruar së fundmi.
“Nënave dhe familjeve të tyre, u shpreh ngushëllimet më të thella.”– shkroi Presidenti Sall në një postim në Twitter.
“Kjo situatë është shumë për të ardhur keq dhe jashtëzakonisht e dhimbshme.”– tha Ministri i Shëndetësisë Abdoulaye Diouf Sarr nga Gjeneva, ku po merrte pjesë në një takim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ai tha se një hetim ishte duke u zhvilluar dhe se ai do të shkurtonte udhëtimin e tij për t’u kthyer menjëherë në Senegal.
Incidenti ka ngjallur një valë indinjate në mediat sociale për gjendjen e ofrimit të kujdesit shëndetësor në vend.
Deputeti i opozitës Mamadou Lamine Diallo kritikoi qeverinë, duke postuar në Twitter: “Më shumë foshnja u dogjën në një spital publik… Kjo është e papranueshme”.
Grupi i të drejtave Amnesty International i ka kërkuar qeverisë të krijojë një “komision të pavarur hetimor për të përcaktuar përgjegjësinë dhe ndëshkuar fajtorët, pavarësisht nivelit në të cilin janë në aparatin shtetëror”.