Dënohet me 14-vite burg 60-vjeçarja Drane Deda, e cila dy vite më parë goditi për vdekje me sqepar bashkëshortin e saj, Llesh Deda, për të cilin shprehej se “i kishte nxirë jetën”.
Gjykata e Kurbinit pas shqyrtimit të çështjes, e shpalli gruan fajtore për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare” dhe e dënoi me 21 vite burg. Por për shkak se përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, Dedës iu ul 1/3 e dënimit dhe ajo do të vuajë 14 vite në një burg të sigurisë së zakonshme.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në nëntor të vitit 2020 në Sanxhak të Kurbinit.
Mëngjesin e 6 nëntorit, nëna e 10 fëmijëve, goditi me sqepar në kokë bashkëshortin e saj Llesh Deda, 61-vjeç. Ai mori plagë të rënda dhe gjeti vdekjen pak ditë më vonë në spitalin e Traumës në Tiranë.
60-vjeçarja u vetëdorëzua në polici, duke shfaqur pendesë për krimin e kryer për të cilin deklaroi se e kishte kryer në gjaknxehtësi e sipër.
Drane Deda u shpreh para oficerëve se për shumë vite kishte pasur konflikte me bashkëshortin e saj i cili ishte i alkolizuar. Madje tregonte se ai e kishte detyruar të bënte 10 fëmijë, pasi ajo nuk ka dashur.
“Më është nxirë jeta me të edhe pse kam vijuar të qëndroj kaq gjatë.”- shprehej ajo.