Vendosni fjalën kyçe....

Ndërron jetë ish-presidenti Bujar Nishani


Ish-presidenti i Republikës Bujar Nishani ka ndërruar jetë.

Pak ditë më parë ai u nis drejt Gjermanisë për të kuruar sëmundjen autoimune të mëlçisë, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë.

Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.

Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 58-vjeçare dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017.

Më herët ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm (në vitin 2007 dhe në vitin 2011), si dhe i Drejtësisë në vitin 2009.

Ish-presidenti Nishani ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Lidhur me ndarjen e tij nga jeta, kanë reaguar figura kyçe të politikës në Shqipëri e Kosovë të cilët ngushëlluan familjen Nishani.

Presidenti Meta: Personalitet me vlera të rralla

Mes tyre përmendim presidentin aktual Ilir Meta, i cili e quajti Nishanin një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.

“Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe! Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt.

I paharruar kujtimi i President Nishanit! Të prehet në paqen e merituar!”– tha Meta.

Lindita Nikolla: I shërbeu vendit me përkushtim

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, gjithashtu e vlerësoi lart kontributin e Nishanit në të gjitha postet e tij publike.

“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur! U prehsh në paqe President Nishani!”– shkruan Nikolla.

Sali Berisha: Krenari që pata një mik fisnik si ai

Sali Berisha ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit Nishani, dhe sigurisht nuk mund të mungonte një reagim nga ai.

“Ish-presidenti Bujar Nishani, ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit. Ai ishte burrështetas i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë nder dhe vlerë institucioni të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.”- tha Berisha.

Ai shton se “Personalisht unë kam patur tek Bujar Nishani njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt, më të aftë, më të dashur, më të çmuar, e më të virtytshëm, i cili do mbetet gjithmonë në kujtesën time me mirënjohje e thellë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi patur, si krenari e veçantë që pata një mik fisnik si ai.”

Kryeministri Edi Rama: U prehtë në paqe

Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-presidenti Nishani duke i shprehur ngushëllime familjes së tij.

“U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes.”- shkruan Rama ndërsa ndan një foto bardhë e zi të ish-kreut të shtetit.

Vjosa Osmani: Përkrahu Kosovën deri në frymën e fundit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kujtoi përkrahjen që Nishani ka dhënë për Kosovën. Sipas saj, ish-presidenti një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet.
Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”-
shkruan Osmani.