Vendosni fjalën kyçe....

Britania e Madhe mund të rikthejë njësitë matëse perandorake – Media


Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson thuhet se planifikon të rivendosë përdorimin e njësive matëse perandorake për të shënuar Jubileun e Platintë të Mbretëreshës Elizabeth.

Johnson pritet të njoftojë se dyqanet britanike do të jenë të lira të shesin mallrat e tyre me masa perandorake, të tilla si paund dhe ons, për herë të parë në dekada, raportoi të shtunën gazeta ‘Daily Mirror’ e Mbretërisë së Bashkuar.

Direktiva e peshave dhe masave të Bashkimit Evropian hyri në fuqi në vitin 2000, duke kërkuar që tregtarët të përdorin njësi metrike, si kilogramët dhe litrat.

Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE-ja në janar 2020, gati katër vjet pasi votuesit shprehën vullnetin e tyre në referendumin e Brexit. Direktiva metrike ishte një simbol i ndërhyrjes së tepërt të BE-së në jetën britanike, veçanërisht midis konservatorëve.

Dyqanet që vazhduan të vlerësonin mallrat e tyre sipas matjeve perandorake u kërkua të shfaqnin gjithashtu ekuivalentët metrikë, si gramët dhe kilogramët.

“Meqenëse populli britanik ka qenë i lumtur të përdorte matjet perandorake dhe metrike në jetën e tyre të përditshme, është mirë që qeveria të reflektojë se tani jemi të lirë të ndryshojmë rregulloret tona në përputhje me rrethanat.” – tha një burim i brendshëm i qeverisë për ‘Daily Mirror’.

Johnson u zotua gjatë fushatës së tij zgjedhore 2019 për të ringjallur njësitë perandorake, duke bërë thirrje për një ‘epokë të re bujarie dhe tolerance’ ndaj matjeve tradicionale. Ai iu referua përdorimit të paund dhe ons si një ‘liri e lashtë’.

70-vjetori i ngjitjes në fron të Mbretëreshës Elizabeth shënon Jubileun e Platintë që do festohet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke shfaqur festa në rrugë, një paradë dhe një konkurs mbretëror, ndër të tjera, gjatë një feste katërditore nga 2 qershori deri më 5 qershor.

Të vetmet vende të tjera që ende përdorin rregullisht matje perandorake janë SHBA, Mianmari dhe Liberia.