Vendosni fjalën kyçe....

Emri i Simon Mirakës te Dosjet, Taulant Balla: E votojmë nëse hiqni firmën e “katranit” nga lista e propozuesve


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla u përgjigj nga foltorja e Kuvendit për mospranimin e kandidaturës së Simon Mirakës në Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Balla theksoi se nëse firma e Sali Berishës hiqet nga lista e propozuesve të kësaj kandidature, atëhere socialistët janë të gatshëm ta votojnë Mirakën.

“Nuk dua të hy në replikë me ndonjë parafolës. Parafolësi që sapo kreun ushtrimin e radhës këtu në foltore nuk meriton të hyj në vendimmarrje. Komisioni ka marrë vendimin e duhur. Komisioni verifikon nëse kandidatura plotëson kriteret e përcaktuara nga ligji. Zoti Simon Miraka që unë e kam votuar, kolegët e mi e kanë votuar pak vite më parë në një autoritet që e ngriti kjo shumicë. Nuk u ngrit kurrë një institucion që të hedhë dritë në dosjet e ish-sigurimit të shtetit.

Ai që sapo bëri zhurmën e radhës këtu ka dritëhijet e tij në marrëdhënie me institucionin. Ne nuk kemi asnjë me kandidaturën e zotit Miraka. Jemi të gatshëm ta votojmë përsëri nëse nga lista e propozuesve hiqet emri i katranit me bojë. Do ishte fyerje për vetë zotin Miraka që në listën e propozuesve është vetë Katrani.

Si të votojmë ne për një kandidat për të hetuar dhe për të informuar publikun kur zotin Miraka mund ta propozojë ky. I bëj thirrje firmëtarëve të heqin emrin e Katranit të vijnë me një listë të re. Kemi kohë në dispozicion dhe ta risjellin. Sa i përket përpjekjes shumë vjeçare për të mbjellë ndasi mes veriut dhe jugut të Shqipërisë sikur këtu ka ndarje mes veriut dhe jugut për të kritikuar qeverinë sikur paskemi lënë pas dore veriun. Shembulli më domethënës janë investimet e kësaj qeverie në Tropojë. Të marrë pamjet si ishte Bajram Curri në vitin 2013 dhe si është sot. Le t’i krahasojmë. Jam i gatshëm.”- deklaroi Balla.