Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria merr kryesimin  e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rama: Bota është trazuar, demokracia po sprovohet rëndë gjithandej


Kryeministri Rama ka shpërndarë një videomesazh teksa sot Shqipëria merr kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kreu i qeverisë thotë se sot njerëzimit është dëshmitar i mizorive që nuk mund të thuhen me fjalë dhe se demokracia e të drejtat e njeriut po sprovohen anembanë botës.

Rama përmend luftën në Kosovë dhe atë në Ukrainë po edhe Darfurin, Mianmarin, Afganistanin e Sirinë si shembuj të asaj që ka ndodhur dekadat e fundit në botë duke bërë thirrje që të veprohet tani.

“Kjo është dekada e tretë e mijëvjeçarit të tretë. Bota është e trazuar dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të mizorive të papërshkrueshme, në më shumë se pesëdhjetë konflikte përreth globit. Demokracia dhe të drejtat e njeriut po sprovohen rëndë në anë të ndryshme të botës. U bë shumë gjatë që shohim abuzime masive me të drejtat e njeriut, nga Darfuri në Mianmar, nga Afganistani në Siri dhe bashkësia ndërkombëtare po lufton t’i vendosë autorët e krimeve të rënda para përgjegjësisë. Në Europë, plagët e luftërave që pasuan shpërbërjen e Ish-Jugosllavisë, sidomos në Kosovë, janë ende të hapura. Po bëjmë gjithçka mundemi për të ecur përpara pa e harruar të shkuarën, por duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët në paqe. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur rendin botëror bazuar në rregulla. Ne nuk mundemi e nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë. Është urgjente të veprojmë, tani, për viktimat e panumërta të konflikteve të pakuptimta, por edhe për ne, të gjithë, për atë çka besojmë, për atë çka na bën bashkë, për të mbrojtur ligjin, për të ruajtur veprimin shumëpalësh. Të gjithë ne kemi një rol për të luajtur, pjesën tonë për të përmbushur.” – thotë Rama.

Në fund të videomesazhit kryeministri Rama thotë se drejtësia e paqja ecin krah për krah dhe se Shqipëria mbetet e angazhuar në këtë drejtim.

“Kjo është arsyeja pse ngjarja e parë përfaqësuese e Shqipërisë në presidencën e saj të parë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kem nderin të kryesoj më 2 qershor, i kushtohet “Forcimit të llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”. Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë më të lartë për të promovuar sesa drejtësia dhe sundimi i ligjit. Shqipëria e promovon atë kombëtarisht dhe e mbron ndërkombëtarisht. Drejtësia dhe paqja ecin krah për krah dhe Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë drejtim. Jemi të privilegjuar që u japim zë bindjeve tona e do ta drejtojmë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të gjithë vullnetin e pasionin tonë për ato çka besojmë fort.” – mbyll videomesazhin Rama.