Vendosni fjalën kyçe....

Floriana Garo i përgjigjet Nikollës pas deklaratave të saj për Berishën në medien gjermane: Ai e ka ruajtur gjithmonë etikën


Drejtoresha e Komunikimit e Komisionit të Rithemelimit Floriana Garo, ka reaguar pas një interviste te kryeparlamentares Lindita Nikolla, e cila e kritikonte ish-kryeministrin Sali Berisha duke thënë se flet me një gjuhë të vrazhdë.

Garo thotë se Berisha e ka ruajtur gjithnjë etikën kur Nikolla shkelte rregulloren, për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama. Dhe sipas saj, Berisha do të vazhdojë të mbetet një zë i fortë ndaj abuzimeve të saj dhe pushtetarëve të tjerë në çdo rrethanë.

“Në përgjigje të vlerësimit të gazetares së DW, e cila gjatë një interviste me kryetaren e Parlamentit shqiptar ngriti pyetje mbi sulmet me fjalë të Z. Berisha ndaj Znj. Nikolla, në respekt të punës së gazetarëve dhe opinionit publik, sqarojmë se:

Berisha ka ruajtur gjithnjë etikën në denoncimet e vazhdueshme të shkeljeve të hapura të rregullores së Parlamentit nga Znj. Nikolla, për të mbrojtur Edi Ramën por Z. Berisha ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet një zë i fortë ndaj abuzimeve të saj dhe pushtetarëve të tjerë në çdo rrethanë; një zë i fortë në mbështetje të luftës kundër mega-aferave korruptive të qeverisë dhe lidhjeve të saj me banda me të rrezikshme në rajon të cilat sot po denoncohen nga drejtësia e vendeve të BE. Ai do jetë pa mëdyshje një zë i ashpër ndaj grabitjes së pronës publike, rritjes tejet të rrezikshme të borxhit publik dhe eksodit masiv të rinisë nga vendi dhe rrënimit kështu të të ardhmes së shqiptarëve.

Sfidat e parlamentit shqiptar nuk vijnë nga denoncimi i pakompromis i këtyre dukurive tashmë të njohura publikisht dhe botërisht, por vijnë nga bashkëfajësia e kësaj maxhorance në aktivitetet e mësipërme.”- shkruan Garo.

Në një intervistë për DW, zonja Nikolla e cilësoi si të vrazhdë gjuhën që përdor Berisha.

 “Ju kohët e fundit u sulmuat me fjalë edhe vetë nga zoti Berisha. Sa sfiduese është për ju të menaxhoni gjuhën e vrazhdë që përdoret shpesh në Kuvend?”- ishte pyetja që iu drejtua nga gazetarja zonjës Nikolla. Ajo u përgjigj se Berisha njihet për gjuhën e vrazhdë por e rëndësishme është të mos i përgjigjet në të njëjtën monedhë.

“Është e vërtetë që personalisht zoti Berisha ka spikatur në vite për gjuhën e vrazhdë. Por e rëndësishme është që mospërgjigja me të njëjtën monedhë, ruajtja e etikës, dhe mbi të gjitha mbështetja fort në rregullat që ka parlamenti dhe që janë të mishëruara në rregulloren e parlamentit. Është shumë i rëndësishëm ky respekt dhe patjetër etika dhe qytetaria në çdo hap.”- tha kryeparlamentarja.