Vendosni fjalën kyçe....

Presidenca e Këshillit të Sigurimit, Ambasadori në OKB prezanton programin përgjatë gjithë muajit


Shqipëria mori nga dita e sotme mori Presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Ambasadori Ferit Hoxha ka prezantuar programin gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit për muajin qershor.

Ndër prioritetet e Shqipërisë, Hoxha renditi respektimin e të drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave si dhe paqen e sigurinë.

Pjesë nga fjalimi:

Së pari, çështja e llogaridhënies

– Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë.

– Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit.

– Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda.

– Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

– Ka një urgjencë për të vepruar, tani, në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta:

o për gratë e dhunuara të Kosovës,

o për nënat e pikëlluara të Bosnjës,

o për fëmijët e Ukrainës,

o për viktimat pa emër në Tigray,

o për Azara në Afganistan,

o për Yazidët në Irak,

o për Rohyngias,

o për të burgosurit politikë në Myanmar dhe në Sudan,

o për të arrestuarit në Siri

o për të gjithë gazetarët e vrarë në krye të detyrës;

o për këdo, kudo, të cilëve u janë mohuar të drejtat, e ardhmja e të cilëve është varrosur, ëndrrat e të cilëve janë shkatërruar nga abuzimi.

Duhet të bëjmë më shumë, më mirë dhe më shpejt, për të gjithë ne, për atë që ne mbrojmë, për atë që na bashkon, për të mbështetur ligjin, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, për të ruajtur multilateralizmin.