Vendosni fjalën kyçe....

“Në Shënjestër”: Kompania me pronar të arrestuar në Malin e Zi për trafik droge, fitoi miliona euro nga Rindërtimi


Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala publikoi sot se pronari i një kompanie që fitoi miliona euro të tenderave të procesit të Rindërtimit ka qenë i arrestuar në Malin e Zi për trafik droge.

Përtej tërmetit të madh që tronditi Shqipërinë atë natë të 26 nëntorit 2019, tërmeti tjetër më i rëndë këtë radhë në financat e buxhetit të shtetit, është ai i zhvatjes duke përdorur dhimbjen qytetare, të miliona eurove në emër të rindërtimit dhe nevojës së shpejtë për të strehuar banorët.

Një aspekt i errët që shfaqet dukshëm në çdo tender të akorduar nga qeveria Rama për ‘Rindërtimin’, ku pas siglave të kompanive fshihen emra të afërt të lidhur me shumicën qeverisëse.

Por si u shfrytëzua dhimbja që la pas tërmeti për të gostitur me fonde publike në emër të ‘Rindërtimit’, kompanitë pranë pushtetit.

Por këto janë vetëm maja e ajsbergut në dyshimet që lidhin aferën e programit të ‘Rindërtimit’, ku pushteti dukshëm ushqen klientelizmin me fondet publike.

Edhe pse në aktin normativ mbi procedurat e programit të ‘Rindërtimit’ është e përcaktuar qartë që skualifikohen operatorët e dënuar me vendim të formës së prerë, kjo gjë duket se nuk ka ndodhur me një nga kompanitë fituese.

Kjo kompani është ‘Alessio 2014’, e cila është në pronësi të Antonio Gjinaj, i arrestuar në prill të vitit 2021 nga policia malazeze, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga policia spanjolle për shkak të një dënimi të pakryer në shtetin Iberik në fushën e lëndëve narkotike.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjinaj ka qenë anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin dhe shitjen e 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.
Por edhe pse qeveria shqiptare e ka përcaktuar që operatorë me dënime të tilla edhe në kuadër të lëndëve narkotike skualifikohen nga gara në tenderët publikë, kjo gjë duket se nuk ka ndodhur me ‘Alessio 2014’.

Madje jo vetëm kaq, por kjo kompani mundi të fitojë nga program i rindërtimit 3 kontrata si bashkim operatorësh nga bashkitë si dhe dy kontrata të tjera si operator i vetëm me një fond total prej gati 1.5 miliardë lekësh.

Por edhe pse kanë kaluar mbi 2 vite nga tërmeti i tmerrshëm që goditi Shqipërinë dhe klientelizmi qeveritar në tenderët e rindërtimit, ajo që vihet re sot është se qytetarët vazhdojnë të presin me sy nga strehat e tyre.

Ndërkohë që vetëm një pjesë fare e vogël e tyre kanë mundur të kenë një banesë në kokë. Ndërsa drejtësia e re duket se do të ketë një tjetër dosje për të shqyrtuar jo thjesht klientelizmin dhe pabarazinë në garë por edhe se si janë shfrytëzuar këto fonde deri më sot.