Vendosni fjalën kyçe....

Në vitin 2021 u hapën 15 mijë ndërmarrje të reja, rritet pesha e shërbimeve


Në vitin 2021 në vend u regjistruan rreth 15 mijë ndërmarrje të reja, raportoi INSTAT, në publikimin e ri për regjistrat e biznesit.

Në vend janë 118.627 ndërmarrje ekonomike aktive (përjashtuar fermerët) deri në fund të vitit 2021.

Ndërkohë janë edhe 62.922 fermerë të pajisur me Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm NIPT;

Në total, numri i njësive ligjore aktive në fund të vitit 2021 është 181.549.

Ndërmarrje aktive (përjashtuar fermerët)

118.627 është numri i ndërmarrjeve në fund të vitit 2021 duke shënuar një rritje prej 1,1% krahasuar me vitin 2020;

14.946 ndërmarrje janë regjistruar gjatë vitit 2021, nga 12.376 të regjistruar gjatë vitit 2020;

86,6% e ndërmarrjeve janë prodhues të shërbimeve, nga 86,4% që ishin respektivisht në vitin 2020;

Në bashkinë Tiranë janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, ndërsa në bashkinë Pustec shënohet numri më i ulët;

Ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar zënë vetëm 1,7% ndaj totalit të ndërmarrjeve. Kontributi i tyre në punësim llogaritet në 51,1% në vitin 2021, nga 51,9% në vitin 2020;

5,6% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të huaja e të përbashkëta, nga ku 40,3% e tyre janë me origjinë nga Italia dhe 5,1% nga Greqia;

Struktura ekonomike e ndërmarrjeve (përjashtuar fermerët)

Në grupin “Prodhues të të mirave”, sektori i industrisë ka ndikimin më të madh në ekonominë e vendit. Kontributi i industrisë duket qartë përkatësisht në:

numrin ndërmarrjeve aktive gjithsej me 7,6%;

numrin e të punësuare gjithsej me 18,8%;

numrin e të punësuarve me pagë me 20,9%;

xhiron vjetore të realizuar me 22,3%.

Në grupin “Prodhues të shërbimeve” operojnë 86,6% e ndërmarrjeve aktive duke realizuar 65,3% të xhiros vjetore. Në këtë grup ndërmarrjesh, rolin kryesor e luan tregtia (kryesisht tregtia me shumicë, me pakicë dhe riparimi i automjeteve). Të punësuarit gjithsej në tregti zënë 18,7% të numrit të të punësuarve gjithsej.

Ekonomia shqiptare, sipas INSTAT është e fokusuar kryesisht në aktivitetin tregtar dhe shërbime të tjera. Ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 29,9% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2021. Aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 39,6%

Rreth 85,6% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla me 1-4 të punësuar dhe kontributi i tyre llogaritet në 21,7% në punësim dhe 17,8% në realizimin e xhiros vjetore.

Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përfaqësojnë 1,7% të totalit të ndërmarrje, punësojnë 51,1% të të punësuarve gjithsej, dhe realizojnë 46,5% të totalit vjetor të xhiros.

Në qarqet Tiranë, Durrës e Fier janë përqendruar rreth 64,1% e ndërmarrjeve. Numri më i madh i ndërmarrjeve shënohet në qarkun e Tiranës me 54.641 ndërmarrje, ndërsa numri më i vogël në qarkun e Kukësit me 1.261 ndërmarrje. Edhe gjatë vitit 2020 situata paraqitet e njëjtë.

Mbizotërimi i grupit të prodhuesve të shërbimeve është dukuri në të gjitha qarqet. Në qarqet Tiranë dhe Durrës janë përqendruar 56,7% e grupit të prodhuesve të shërbimeve.

Fermerë të regjistruar

Numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2021 është 62.922 duke shënuar një rritje me 28,3% krahasuar me fermerët në fund të vitit 2020;

Fermerët e regjistruar në bashkinë Lushnje zënë 11,0% të fermerëve aktivë të pajisur me NIPT;

27,2% e fermerëve ushtrojnë aktivitetin ekonomik në ferma mikse;

10,8% e fermerëve pronarë apo drejtues janë gra. 31,1% e ndërmarrjeve drejtohen nga gratë, nga31,4% në fund të vitit 2020;

Në fund të vitit 2021 regjistrohen 128.263 njësi lokale nga të cilat 116.916 ushtrojnë aktivitetin ekonomik në një vendndodhje.

Xhiro vjetore e realizuar nga ndërmarrjet për vitin 2021 është 3.428 miliardë lekë.

Numri i të punësuarve gjithsej në ndërmarrjet aktive në fund të vitit 2021 është 700.763, nga të cilët 320.371 janë të punësuara femra.