Policia e Shkodrës ka publikuar informacionin zyrtar mbi vrasjen që tronditi mëngjesin e sotëm qytetin verior.
Ngjarja ndodhi në orën 07:20 të mëngjesit të sotëm, në markaten e lagjes “Rus”.
68-vjeccari Naim Bajri ka qenë duke pirë kafe me punëtorin e tij në momentin që e kanë qëlluar.
Si pasojë Bajri ka humbur jetën, ndërsa punëtori Astrit Zeneli, 58-vjeç, ka mbetur i plagosur.
Ndaj Bajrit dhe punëtorit raportohet të jetë qëlluar nga një automjet 10 herë.
Pak pas ngjarjes, një makinë e djegur është gjendur në “Lagjen Guerrile” e Shkodrës dhe dyshohet se është përdorur nga autorët për krimin.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja e sotme ka të bëjë me një ngjarje të rëndë nga e kaluara. Kjo pasi 20 vite më parë, Naim Bajrit i kanë vrarë të birin, Indritin, i cili asokohe ishte 21 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.
Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.