Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Sokol Ngresi si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë.
Pak ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka propozuar presidentit emrin e gjyqtarit Sokol Ngresi për ta emëruar si gjyqtar të lartë. Propozimi është bërë në mbledhjen e datës 27 Maj në KLGj, ndërsa dekretimi i Ngresit nga presidenti për të qenë gjyqtari i 13-të në gjykatën e lartë është bërë më 31 Maj.
“Zoti Ngresi është përzgjedhur për t`u emëruar në këtë gjykatë për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative përmes procedurës së ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Presidenti i Republikës pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të emërimit, me vullnetin e plotë që Gjykata e Lartë të plotësohet me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh; të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale; si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së.”– thuhet në njoftimin e Presidencës.
Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 13 gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë. Kështu nga sot Gjykata e Lartë gëzon kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t`u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara.
NJOFTIMI
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në datën 31 maj 2022, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Sokol Ngresi si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë.
Zoti Ngresi është përzgjedhur për t`u emëruar në këtë gjykatë për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative përmes procedurës së ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Presidenti i Republikës pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të emërimit, me vullnetin e plotë që Gjykata e Lartë të plotësohet me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh; të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale; si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së.
Për këto arsye, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përmes Dekretit nr.13646, datë 02.6.2022, ka vendosur që:
- Zoti SOKOL NGRESI të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 13 (trembëdhjetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë.
Nga sot Gjykata e Lartë gëzon kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t`u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara.
Gjykata e Lartë, pas 5-vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj, nga sot mundet të ndryshojë/unifikojë praktikën gjyqësore. Nga sot ajo rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin dhe autoritetin e saj sublim për çështje që kanë nevojë për kuptimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, duke i siguruar kështu të gjithë sistemit gjyqësor zhvillimin/ndryshimin e praktikës gjyqësore, unifikimin e jurisprudencës, dhe një qëndrim uniform lidhur me çështje të ndryshme juridike në funksion të interesit publik, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në dhënien e drejtësisë.
Ky mund të duket një hap i vogël përpara, por juristët dhe vet Gjykata e Lartë e kuptojnë shumë mirë se është nga më të rëndësishmit.
Presidenti i Republikës, gjen rastin të ri përsërisë thirrjen publike, ndaj të gjithë institucioneve qeverisëse të sistemit të drejtësisë por dhe aktorëve të tjerë vendimmarrës se, Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie, jo vetëm të pavarur, por dhe plotësisht funksional e eficient. Qytetarët presin drejtësi, dhe e meritojnë atë që të jepet, brenda afateve të arsyeshme.
Presidenti i Republikës, gjithashtu gjen rastin të ritheksojë se:
– Pavarësia e sistemit të drejtësisë, sidomos për gjyqtarë të karrierës, duhet të garantohet në themel të saj. Vetëm kjo rrit besimin e gjithë shoqërisë tek sistemi i drejtësisë që duhet të sigurojë në vijimësi një staturë, që garanton pavarësi të gjyqtarëve dhe veprime të paanshme të shërbimit publik gjyqësor në tërësi.
– Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si dhe gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira apo në mbështetje të këtyre proceseve, duhet të angazhohen me të gjitha burimet dhe me vullnet për të bërë sa më shpejt funksionale me kapacitet të plotë Gjykatën e Lartë, Gjykatës Kushtetuese, dhe sistemin e ndjekjes penale.
– Për këtë, të gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira apo në mbështetje të këtyre proceseve, duhet të ofrojnë dhe të mos bëhen pengesë për punën e organeve qeverisëse të sistemit, të ofrojnë gjithë informacionin e nevojshëm, në mënyrë serioze, duke vlerësuar rëndësinë që ka kjo çështje dhe jashtë çdo ndikimi.
– Asnjë institucion që mbështet procesin e verifikimit dhe vlerësimit të kandidatëve për Gjykatat më të rëndësishme në vend, nuk duhet të neglizhojë përmbushjen e detyrave dhe dhënien e informacionit për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, apo Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
– Përpos këtyre, vëmendja nuk duhet të humbasë, ndaj nevojës ekstreme që ka sistemi gjyqësor për plotësimin e vakancave të mëdha të krijuara në Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Rretheve Gjyqësore të Shkallës së Parë.