Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati për president mesazh para votimit në Parlament: Ishte e papritur kur mora lajmin


Pak orë para votimit në Parlament, kandidati për President i Republikës Bajram Begaj ka reaguar përmes një letre publike.

Në letrën dërguar redaksisë së “Balkanweb”, Begaj shkruan se propozimi i tij për president i ka ardhur papritur dhe se ky është nga ato raste që fjalët nuk e përshkruan dot.

Ai thekson se në rast se Kuvendi do ta miratojë kandidaturën e tij, respekti për tjetrin dhe dashuria për Atdheun do të jenë shigjetat e busullës së tij në atë detyrë.

“Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë sot që unë të jem President i ardhshëm i Republikës, respekti për tjetrin dhe dashuria për Atdheun do të jenë shigjetat e busullës sime në atë detyrë të lartë. Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine, dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar. Respekt për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, Shqipërinë mbi gjithçka.”- shkruan Begaj, i cili u bën thirrje medieve ta mirëkuptojnë për refuzimet e intervistave apo prononcimeve mediake. Ai thekson se është mësuar të lërë punën e tij të flasë.

LETRA E BAJRAM BEGAJT

Ishte sa e papritur aq edhe e madhe pesha e emocionit që ndjeva, kur mora lajmin se maxhoranca parlamentare kishte vendosur të më paraqiste si kandidat në seancën e sotme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Me mirënjohje të thellë dhe respektin më të lartë për bashkëpunëtort, kolegët, anëtarët e familjes së madhe të Forcave të Armatosura të Republikës, kam nënshkruar kërkesën për lirimin nga detyra e lartë që kam pasur deri më sot nderin e përgjegjësisë së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime e më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë. t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi.
Puna ime si mjek dhe si ushtarak më ka mësuar shumë, por mbi të gjitha më ka mësuar vlerën e respektit për tjetrin dhe të dashurisë për Atdheun.

Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë sot që unë të jem President i ardhshëm i Republikës, respekti për tjetrin dhe dashuria për Atdheun do të jenë shigjetat e busullës sime në atë detyrë të lartë. Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine, dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar. Respekt për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, Shqipërinë mbi gjithçka. Duke i falënderuar të tërë për fjalët e mira e mesazhet miqësore, lutem përulësisht mirëkuptimin e të gjithëve për refuzimet e intervistave apo prononcimeve mediake.
Jam mësuar që puna ime të flasë për mua, jo unë për veten time dhe kam frikë se nuk ndryshoj dot këtë edhe po të dua.
Bajram Begaj