Vendosni fjalën kyçe....

Batalioni Azov i Ukrainës ndërron shenjat neo-naziste – Media


Regjimenti famëkeq nacionalist Azov, i cili po ringjallet nga Ukraina pasi iu dorëzua forcave ruse në Mariupol, ka hequr simbolin Ëolfsangel të lidhur me nazistët nga shenjat e tij, raportoi ‘The Times’.

Sipas gazetës britanike, rekrutët e rinj të njësisë në qytetin e Kharkovit kishin një tjetër simbol në krah, që është emblema kombëtare e Ukrainës, duke zëvendësuar kështu Wolfsangel ose ‘grepin e ujkut’ që ishte përdorur nga Batalioni Azov që nga formimi i tij tetë vite më parë.

Sidoqoftë, komandanti i njësisë së re, Maksim Zhorin, i tha gazetës se batalioni ishte formuar ‘në të njëjtat parime dhe bazë ideologjike si regjimenti legjendar Azov’.

Wolfsangel është një simbol historik heraldik që u zgjodh nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u shfaq në shenjat e disa divizioneve SS.

‘The Times’ tha se prania e Wolfsangel në uniformat e luftëtarëve të Azov ‘kishte ndihmuar në vazhdimësinë e propagandës ruse për Ukrainën duke pretenduar se ishte nën kontrollin e nacionalizmit të ekstremit të djathtë’.

Megjithatë, përpara nisjes së operacionit ushtarak rus në Ukrainë, përdorimi i simbolizmit nazist nga njësia kishte ngritur shqetësime në mediat perëndimore, duke përfshirë media si revista ‘Time’ dhe ‘New York Times’.

Batalioni Azov u mblodh në vitin 2014 si një njësi vullnetare që përbëhej kryesisht nga aktivistë të ekstremit të djathtë, të gatshëm për të luftuar kundër republikave të vetëshpallura në rajonin e Donbass.

Disa muaj më vonë, ajo u përfshi zyrtarisht në Gardën Kombëtare të Ukrainës me urdhër të presidentit të atëhershëm Petro Poroshenko.

Kur filloi ofensiva ruse, Batalioni Azov, i cili kishte marrë stërvitje perëndimore, konsiderohej një nga formacionet më të afta nën komandën e Kievit.

Luftëtarët nacionalistë kishin për detyrë të mbronin Mariupol, një port strategjik në Detin Azov, por nuk arritën të përmbushnin qëllimin e tyre.

Shumë prej tyre u vranë, ndërsa pjesa tjetër, duke përfshirë komandantët, iu dorëzuan forcave ruse në fillim të majit, pasi u izoluan në fabrikën e çelikut Azovstal për javë të tëra.

Gjatë rrethimit, Moska fajësoi njësinë Azov për gjoja mbajtjen e civilëve peng në objekt dhe përdorimin e tyre si mburoja njerëzore.