Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina e Hungaria përplasen ashpër, zyrtarët fyejnë njëri-tjetrin për shëndetin mendor


Një grindje e ashpër diplomatike ka shpërthyer midis Kievit dhe Budapestit, me zyrtarë të lartë të të dy vendeve që shkëmyen fyerje për shëndetin mendor të njëri-tjetrit.

Ajo u shkaktua nga komentet e bëra nga kryetari i parlamentit hungarez, Laszlo Kover, i cili kritikoi qëndrimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ndaj kombeve të tjera.

“Nuk më kujtohet kur një udhëheqës i një vendi që ka nevojë për ndihmë do guxonte të fliste kundër dikujt në një mënyrë siç bëri Presidenti Zelensky, jo vetëm kundër Hungarisë, por edhe kundër kancelarit gjerman.” – tha Kover gjatë një interviste me HirTV të shtunën.

Stili agresiv i Zelenskit për të kërkuar ndihmë të huaj për të mbështetur Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë mund të rrjedhë nga ‘problemet personale mendore’, tha Kover.

“Dikush duhet të kërcënojë armiqtë, jo ata që dëshironi të bëni miq. Ka një lloj problemi personal mendor dhe nuk e di se çfarë mund të bëhet për këtë.” – tha ai.

Vërejtjet shkaktuan një shpërthim diplomatik në Kiev, me zyrtarët që hodhën një sërë fyerjesh ndaj Hungarisë në tërësi dhe personalisht ndaj Koverit. Zëvendës shefi i zyrës së presidentit të Ukrainës Andrey Sibiga u përgjigj me disa thënie, duke vënë në pikëpyetje shëndetin mendor të vetë Kover.

“Ti e njeh gomarin nga veshët dhe budallain nga fjalët. Mendja e shkurtër e ka gjuhën e gjatë.” – shkroi Sibiga në Facebook.

Një përgjigje e ngjashme erdhi edhe nga Ministria e Jashtme e Ukrainës, e cila kërkoi që Kover të tregojë prova në lidhje me shëndetin e tij mendor.

“Vlerësimi i mëtejshëm i fjalëve të Kover varet drejtpërdrejt nga vlerësimi i regjistruar në certifikatë.” – tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Oleg Nikolenko.

Zyrtari akuzoi gjithashtu Hungarinë se ‘me kokëfortësi’ vazhdon ‘të hedhë baltë ndaj Ukrainës dhe të zbehë krimet e Rusisë’, ndërsa sugjeroi se vendi e ka gjetur veten në anën e ‘të keqes në histori më shumë se një herë’.

Kievi e ka kritikuar vazhdimisht Hungarinë për mungesën e perceptuar të saj të mbështetjes në konfliktin e vazhdueshëm, si dhe ngurrimin e saj për të ndërprerë lidhjet ekonomike me Rusinë.