Vendosni fjalën kyçe....

Blinken kritika Amerikës Latine e Qendrore: Nuk jeni demokratike, po shuani lirinë e shtypit e frikësoni gazetarët


Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken kritikoi të martën përpjekjet për të shtypur lirinë e shtypit në disa vende të Amerikës Latine dhe tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë të rrisin mbrojtjen e medias në rajonin me më shumë vrasje të gazetarëve.

Duke folur në një ngjarje për lirinë e shtypit përpara Samitit të Amerikave, një mbledhje rajonale që synon të adresojë problemet ekonomike dhe emigracionin, Blinken tha se qeveritë në rajon po përdorin legjislacion gjithëpërfshirës dhe mbikëqyrje për të shuar lirinë e shtypit dhe për të frikësuar gazetarët.

Ai ka veçuar Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën, tre vendet që presidenti Joe Biden i përjashtoi nga Samiti i Amerikave për shkak se nuk ishin demokratike, duke thënë se akti i gazetarisë së pavarur përbënte një krim atje.

“Asnjë rajon në botë nuk është më i rrezikshëm për gazetarët.” – tha Blinken, duke shtuar se të paktën 17 punonjës të medias janë vrarë këtë vit në hemisferën perëndimore, duke cituar Observatorin e UNESCO-s për gazetarët e vrarë.

Fundjavën e kaluar, gazetari britanik Dom Phillips dhe eksperti indigjen Bruno Pereira u zhdukën në Brazil ndërsa raportonin në një pjesë të largët dhe të paligjshme të pyllit tropikal të Amazonës pranë kufirit me Perunë. Lexo më shumë.

“Qeveritë po përdorin legjislacion gjithëpërfshirës për të shuar shprehjen e lirë, siç e pamë në listën e fundit të amendamenteve të miratuara nga El Salvador në mars dhe prill të këtij viti.” – tha Blinken.

Në mars, El Salvadori regjistroi 62 vrasje në një ditë të vetme, më të përgjakshmet që nga përfundimi i luftës së tij civile në 1992. Si përgjigje, Asambleja Legjislative e dominuar nga partia populiste me prirje të djathtë të Presidentit Nayib Bukele shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, duke pezulluar të drejtat kushtetuese të qytetarëve.