Vendosni fjalën kyçe....

Polonia i shet Ukrainës 630 milionë dollarë armë


Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki njoftoi të martën se vendi do të eksportojë armë me vlerë rreth 630 milionë dollarë në Ukrainë. Kontrata ushtarake është quajtur më e madhja që Varshava ka nënshkruar në 30 vitet e fundit.

“Ne jemi të lumtur që kemi mundësinë të shesim armët tona jashtë sot.” – tha Morawiecki gjatë një vizite në fabrikën e armëve të Polonisë, Stalowa Wola të martën, duke shtuar se këto do të jenë armë ‘të provuara dhe të testuara’ që do jenë ‘shumë e rëndësishme në fushën e betejës’.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se një pjesë e financimit për këto armë do të mbulohet nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se Polonia do t’i përdorë këto para për të pasuruar potencialin e saj të prodhimit.

Zëvendëskryeministri i tij Jacek Sasin ka konfirmuar marrëveshjen dhe ka deklaruar se shuma totale e këtyre dërgesave do të jetë diku rreth 628 milionë dollarë.

Në fund të majit, Polonia dhuroi gjithashtu 18 armë vetëlëvizëse ‘Krab’ për forcat e Ukrainës dhe forcat ushtarake polake ofruan trajnime për rreth 100 artilierë ukrainas, sipas radios polake, e cila vuri në dukje se forcat ukrainase tani kanë të paktën 24 obusë vetëlëvizës perëndimorë.

Varshava pretendon të jetë një nga donatorët më të mëdhenj të pajisjeve ushtarake në Ukrainë, e dyta vetëm pas Shteteve të Bashkuara. Polonia deri më tani i ka siguruar Kievit tanke T-72, topa vetëlëvizës Gozdzik, raketa ajër-ajër, drone dhe raketa-hedhës Grad.

Ndërkohë, Moska ka paralajmëruar se çdo rezervë armësh perëndimore në Ukrainë është ‘objektiv i ligjshëm’  dhe se ajo shpesh kryen sulme ajrore dhe raketore kundër tyre.